×
  • Lajme
  • Botë

    Pse SHBA-ja po tërhiqet nga negociatat Ukrainë-Rusi?

    Reporteri
    03 Maj 2025 | 8:36

    Rusia po e zvarrit ndërsa Ukraina i tha po marrëveshjes për armëpushim, të propozuara nga amerikanët. Donald Trump humb durimin me palët – Amerika tërhiqet nga procesi i paqes, por jo edhe nga mbështetja për Kievin – veçanërisht pas marrëveshjes për mineralet që i solli SHBA-së përfitime të prekshme gjeostrategjike dhe ekonomike.

    Pas më shumë se 100 ditësh përpjekjesh për të arritur një armëpushim mes Rusisë dhe Ukrainës, lideri amerikan mori një vendim të prerë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të luajnë më rolin e ndërmjetësit në bisedimet për paqe.

    Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Tammy Bruce, kishte specifikuar se Shtetet e Bashkuara “mbeten të përkushtuara për të mbështetur përpjekjet e paqes në Ukrainë, por do ta zvogëlojnë rolin e tyre të drejtpërdrejtë si ndërmjetës”, shkruan thetelegraph.

    Presidenti Trump “gjithashtu e di se ekziston një pjesë tjetër e botës, një glob i tërë që ka nevojë për vëmendje. Ne nuk kemi ndërmend të fluturojmë papritur në anën tjetër të botës për të ndërmjetësuar takime. Ky është një problem për të dyja palët dhe është koha që ato të paraqesin dhe zhvillojnë ide konkrete se si t’i japin fund këtij konflikti”.

    Vendimi vjen në një kohë kur Rusia ka refuzuar propozimin amerikan për një armëpushim 30-ditor, ndërsa Ukraina e ka pranuar pa kushte.

    Trump gjithashtu është zemëruar edhe më shumë me zvarritjet e presidentit rus, Vladimir Putinit, ku shprehu publikisht dyshimet për qëllimet e tij.

    “Ndoshta nuk dëshiron fare ta ndalë luftën, vetëm po më mashtron”, shkroi ai në rrjetin Truth Social.

    Në prapaskenë qëndron edhe ndjenja se SHBA tashmë ka bërë mjaftueshëm.

    “Dhamë maksimumin tonë. Njerëzit më të mirë punuan për këtë për 100 ditë”, deklaroi Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio dhe shtoi se “është koha të përqendrohemi edhe në sfida të tjera globale”.

    Marrëveshja për mineralet – shpërblim dhe mesazh i heshtur.

    Tërheqja e Trumpit nga procesi i paqes ndodh në hijen e një marrëveshjeje me Ukrainën për shfrytëzimin e burimeve natyrore, që ndoshta ka qenë qëllimi përfundimtar i të gjithë ofensivës diplomatike.

    Sipas raportimit të Bloomberg, marrëveshja SHBA–Ukrainë do t’i mundësojë Uashingtonit qasje të privilegjuar në projekte të reja investuese për zhvillimin e burimeve natyrore të Ukrainës – duke përfshirë aluminin, grafitin, naftën dhe gazin.

    Marrëveshja u nënshkrua nga ministri amerikan i financave, Scott Bessent, dhe ministrja e ekonomisë së Ukrainës, Yulia Svyrydenko.

    Ajo theksoi se Ukraina do të ruajë pronësinë dhe kontrollin e plotë mbi të gjitha burimet dhe se shfrytëzimi nuk do t’u jepet kompanive të huaja pa pëlqimin e Kievit.

    “Pasuritë nëntokësore mbeten pronë e Ukrainës – kjo është qartësisht e përcaktuar në marrëveshje”, theksoi Svyrydenko për CNN.

    Bessent shtoi se kjo marrëveshje i dërgon një mesazh të qartë Moskës: rindërtimi i Ukrainës nuk do të përfshijë aktorë që kanë kontribuar në makinerinë ushtarake ruse.

    Mbështetje ushtarake – e shtuar dhe e konkretizuar

    Administrata Trump e gjen veten duke luftuar midis nevojës për të vazhduar dialogun me Moskën, për ta shkëputur atë nga Pekini dhe rinisjes së mbështetjes për Kievin, e cila në praktikë nuk mund të jetë vetëm një çështje evropiane.

    Kjo është në përputhje me miratimin e shitjes së parë të furnizimeve ushtarake në Ukrainë që kur manjati u kthye në Shtëpinë e Bardhë, duke treguar se marrëveshja për mineralet mund të hapë rrugën për dërgesa të reja armësh.

    Departamenti Amerikan i Shtetit ka certifikuar një licencë për eksportimin e pajisjeve dhe shërbimeve mbrojtëse ukrainase me vlerë “50 milionë dollarë ose më shumë”, sipas një memorandumi drejtuar Komitetit të Marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së.

    Ky do të ishte autorizimi i parë i këtij lloji që kur Trump pezulloi të gjithë ndihmën ushtarake për Ukrainën menjëherë pas marrjes së detyrës.

    Gjeopolitika, lëndët e para dhe llogaritja e Trumpit

    Trump e prezantoi marrëveshjen e re si një “kompensim” për investimet amerikane gjatë luftës.

    “Biden u dha atyre 350 miliardë dollarë. Ne arritëm një marrëveshje përmes së cilës, teorikisht, marrim shumë më tepër se ato 350 miliardë”, shtoi ai.

    Sipas vlerësimeve të Kievit, rreth 5 për qind e “lëndëve të para kritike” të botës gjenden në Ukrainë.

    Në këtë përfshihen edhe rreth 19 milionë ton rezerva të provuara të grafitit, një mineral kyç për prodhimin e baterive të automjeteve elektrike.

    Kjo e pozicionon Ukrainën si një epiqendër strategjike e resurseve – dhe SHBA tashmë kanë qasje ekskluzive. /Telegrafi/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!