×
  • Lajme
  • Botë

    Putin dhe Erdogan arrijnë marrëveshje për armëpushim në Idlib

    Reporteri
    05 Mars 2020 | 22:55

    Turqia dhe Rusia thanë se janë pajtuar për armëpushim në provincën Idlib të Sirisë.


    Marrëveshja u shpall të enjten, pas bisedimeve 6-orëshe midis presidentit rus, Vladimir Putin, dhe homologut të tij turk, Recep Tayyip Erdogan, në Moskë.

    Dy palët thanë se marrëveshja përfshin armëpushimin që duhet të nisë nga mesnata e së enjtes përgjatë linjave ekzistuese të betejës.

    Marrëveshja gjithashtu parashikon krijimin e një korridori të sigurt përgjatë autostradës M4.

    Korridori do të patrullohet nga trupat ruse dhe turke, duke filluar nga 15 marsi.

    Takimi në Moskë u zhvillua në kohën e tensioneve të larta në Idlib – bastionin e fundit që kontrollohet nga rebelët anti-qeveritarë në Siri.

    Javë më parë, Turqia, e cila i mbështet rebelët, ka nisur një ofensivë atje kundër forcave të presidentit sirian, Bashar al-Assad, të cilat mbështeten nga Rusia.

    Më 27 shkurt, Ankaraja ka raportuar për vrasjen e 34 ushtarëve turq në një sulm ajror të kryer, sipas saj, nga forcat siriane.

    Kjo ka çuar në hakmarrje dhe, më 1 mars, Turqia ka vrarë 19 ushtarë sirianë.

    Turqia dhe Rusia, deri më tash, e kanë shmangur konfrontimin e drejtpërdrejtë, por incidentet e fundit kanë bërë që shumë vëzhgues të shprehin shqetësim se Turqia – anëtare e NATO-s – dhe Rusia mund të përfshihen në një konflikt të armatosur./Reporteri/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!