×
  • Lajme
  • Botë

    Putini hap televizionin e tij propagandues në Serbi, derisa e tërë BE-ja e ka ndaluar transmetimin e “Russia Today”

    Reporteri
    14 Korrik 2022 | 14:11

    Televizioni rus “Russia Today” që konsiderohet si “zëdhënësi” i Kremlinit dhe mbështet fuqishëm politikat e presidentit rus Vladimir Putin, do të hap zyrën e saj në Serbi, merr vesh nova.rs.

    Fjala është për televizionin që vendet e Bashkimit Evropian e kanë ndaluar transmetimin për shkak të nxitjes dhe mbështetjes së agresionit rus në Ukrainë.

    Se po bëhet gati hapja e këtij kanali televiziv në Serbi, e ka konfirmuar Lubinka Milinçiq, kryeredaktorja e Sputnik Serbia.

    “Po, është e vërtetë. Nuk do të fillojë tani punën në Serbi, por po përgatitet hapja”, shtoi ajo.

    E siç merr vesh nova.rs, në krye të këtij televizioni të Kremlinit do të jetë e bija e Milinçiqit, informacion ky të cilin vet ajo nuk e pohoi e as mohoi, transmeton Telegrafi.

    Ndryshe, Këshilli i BE-së qysh në mars vendoi të ndalë distribuimin e mediave shtetërore ruse siç janë “Russia Today” dhe “Sputnik” për tërë territorin e BE-së.

    Siç është bërë e ditur nga Këshilli i BE-së, sanksionet nënkuptojnë ndaljen e distribuimit, si në kabllor, satelitor, platformat IPTV, ueb-faqe e aplikacione.

    Në Bruksel kanë vlerësuar se këto dy televizione janë instrument i rëndësishëm për nxitjen dhe mbështetjen e agresionit rus kundër ukrainasve, dhe se paraqet kërcënim të drejtpërdrejtë për rendin dhe sigurinë publike në BE.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!