Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka dorëzuar një draft të ndryshimeve në kushtetutën ruse, me të cilën martesa do të përshkruhet si bashkimi i një burri dhe gruaje.
Kjo masë raportohet të jetë pjesë e një dokumenti me 24 faqe, në të cilin parashihen edhe ndryshime të tjera, përfshirë vlerësimin e Rusisë si pasardhëse e Bashkimit Sovjetik, përmendjen e besimit të rusëve në Zot dhe mbrojtjen ë të vërtetës historike sa i përket rolit të Bashkimit Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.
“Për mua, propozimi më i rëndësishëm është ai që e përshkruan statusin e martesës si bashkim mes një burri dhe gruaje”, ka thënë Pyotr Tolstoy, zëdhënës i Dumës, shkruan The Guardian – transmeton Reporteri.net.
Rusia është duke planifikuar që ta ndryshojë kushtetutën për herë të parë që nga viti 1993.
Kjo lëvizje fillimisht ishte vlerësuar si metodë e Putinit për t’ia zgjatur pushtetin vetes edhe pas vitit 2024.
Pas votimit të propozimeve për ndryshime në Kuvend, mendimin për to do ta japin edhe qytetarët rus përmes referendumit.
Përkrahja e drejtpërdrejtë që presidenti rus ua ka dhënë këtyre propozimeve lë të kuptohet se ato me shumë gjasë do të miratohen. Ai e gëzon edhe përkrahjen e Kishës Ortodokse Ruse në lidhje me ndryshimet për përshkrimin e martesës.