×
  • Lajme
  • Botë

    Qeveria holandeze ia premton 2.5 miliardë euro Ukrainës për vitin 2024

    Reporteri
    05 Dhjetor 2023 | 21:16

    Qeveria e Holandës i ka ndarë 2.5 miliardë euro për ta mbështetur Ukrainën në vitin 2024, tha ministrja e Jashtme e këtij vendi, Hanke Bruins Slot, gjatë një vizite në Kiev të martën.

    Lufta agresore e Rusisë në Ukrainë po futet në një dimër tjetër dhe kjo ka bërë që të rriten shqetësimet se përpjekjet e Kievit për ta zmbrapsur pushtimin rus, që nisi në shkurt 2022, mund të dështojnë pa mbështetjen e vazhdueshme të Perëndimit.

    Bruins Slot i siguroi autoritetet ukrainase për mbështetjen e vazhdueshme nga vendi i saj.

    “Mesazhi im për ministrin Kuleba ishte i njëjti si për të gjithë juve këtu. Mbështetja jonë për juve është e garantuar”, tha ajo pas një takimi me ministrin e Jashtëm të Ukrainës, Dmytro Kuleba.

    Ajo theksoi se vendi i saj e hapi një qendër stërvitore për avionët luftarakë F-16 në Rumani më 13 nëntor dhe se po punon me Shtetet e Bashkuara, Danimarkën dhe vende të tjera për t’u kujdesur që Ukraina do të mundë t’i përdorë sa më shpejt avionët luftarakë.

    “Siguria juaj është siguria jonë”, shtoi ajo.

    Temë e bisedës mes saj dhe Kulebas ishte edhe synimi i Ukrainës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

    “E ardhmja juaj është me ne”, nënvizoi ajo.

    Kuleba tha se, derisa vëmendja e mediave është përqendruar në konfliktin në Lindjen e Mesme, “vëmendja politike” nuk ka është hequr nga Ukraina.

    Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet t’iu drejtohet sonte përmes një videoje senatorëve amerikanë, për shkak të frikës se përpjekjet e Ukrainës për ta luftuar Rusinë mund të dështojnë nëse ajo nuk e ka mbështetjen e vazhdueshme nga Perëndimi.

    Administrata Biden i ka kërkuar Kongresit ta miratojë kërkesën e Shtëpisë së Bardhë prej gati 106 miliardë dollarësh për t’i financuar luftërat në Ukrainë, Izrael dhe nevojat e tjera të sigurisë./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!