Në Hong Kong është ngjallur frika nga shtypja e dhunshme dhe përplasjet e përgjakshme pasi rrethimi i protestuesve nga policia në një kampus universitar ka hyrë në ditën e tretë.
Besohet se brenda ndërtesës së universitetit ndodhen 200 protestues, të cilët policia nuk po i lejon që të largohen të lirë.
Kryetarja e Hong Kongut, Carrie Lam, tha se rreth 600 protestues janë dorëzuar para policisë gjatë natës së kaluar, pasi policia i lejoi dy përfaqësues që të ndërmjetësojnë mes dy palëve. Të martën, rreth 20 aktivistë u evakuuan nga Universiteti Politeknik për t’iu dhënë ndihma mjekësore.
Lam, e cila doli për herë të parë në publik që nga fillimi i kësaj krize, tha se 200 nga personat e dorëzuar ishin fëmijë dhe nuk janë arrestuar nga policia, ndonëse theksoi se autoritetet e rezervojnë të drejtën që t’i hetojnë këta njerëz në të ardhmen.
Kampusi në Kowloon është vendosur në qendër të vëmendjes në përballjen më të tensionuar dhe më të gjatë mes policisë dhe protestuesve në më shumë se pesë muaj të konfliktit në qytetin me autonomi të pjesshme, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.
Dhjetëra mijëra njerëz kanë dalë në rrugë në dy ditët e kaluara në përpjekje për t’u bashkuar me protestuesit e bllokuar në universitet, duke nxitur përleshje t ashpra me policinë, e cila ka përdorur gaz lotsjellës, plumba gome dhe në disa raste madje edhe plumba lufte.
Në kohën kur kriza politike në Hong Kong ka arritur në nivel të lartë, Kina ka lëshuar paralajmërime gjithnjë më të ashpra kundër protestuesve, duke ngjallur frikë nga ndërhyrja e mundshme për ta shtypur kryengritjen e tyre.