Turistët që vizitojnë kantonin e Lucernit do të duhet të paguajnë më shumë për çdo natë qëndrim, duke filluar nga viti 2026. Këshilli qeveritar ka paraqitur një projektligj të ri për turizmin, i cili parashikon dyfishimin e tarifës së qëndrimit nga 0.50 në 1.10 franga zvicerane për person, për natë, shkruan Blick.
Ky vendim vjen në kohën kur turizmi në Lucern po arrin nivele rekord. Vetëm në vitin 2024 u regjistruan 2.4 milionë qëndrime brenda natës, një shifër historike për kantonin. Edhe viti 2025 pritet të vazhdojë me të njëjtin ritëm, duke sjellë përfitime për hotelierët dhe bizneset lokale, por edhe sfida për komunitetin vendas, që ndjen presionin e turizmit masiv.
Qëllimi i rritjes së taksës, sipas autoriteteve, është të gjenerohen fonde shtesë për promovimin e qëndrueshëm dhe dixhital të turizmit. Parashikohet që rritja të sjellë rreth 1.3 milion franga të ardhura shtesë në vit, transmeton albinfo.ch.
“Turizmi në Lucern duhet të jetë dritë drejt së ardhmes,” u shpreh këshilltari qeveritar Fabian Peter për Luzerner Zeitung. “Ai paraqet potencialin ekonomik dhe kulturor të kantonit në arenën ndërkombëtare.”
Megjithatë, rritja e taksës shihet më shumë si një masë për financim të zhvillimit të turizmit, sesa një zgjidhje për problemin e mbiturizmit. Vitin e kaluar, qyteti ishte aq i mbingarkuar, saqë disa turistë kaluan natën në parkingje publike. Skena të ngjashme janë parë edhe në vende të tjera zvicerane, që po përballen me sfidat e fluksit të lartë turistik.
Me tarifën e re, Lucerni mbetet në mesataren zvicerane për taksat turistike. Disa vendpushime, si Montreux, aplikojnë tarifa shumë më të larta, deri në 7 franga për natë.
Ligji i ri i turizmit dhe rritja e taksës pritet të shqyrtohen nga këshilli kantonal në muajt në vijim.