Një dokument i OKB’së thotë se talebanët në Afganistan kanë intensifikuar përndjekjen dhe hakmarrjen ndaj të gjithë afganëve që punuan dhe bashkëpunuan me forcat e NATO-s dhe SHBA-së, raporton BBC.
Dokumenti konfidencial u punua nga Qendra Norvegjeze për Analizat Globale, e cila i siguron OKB-së informacione të inteligjencës, përcjell Gazeta Online ‘Reporteri.net’ raportin e mediumit britanik.
“Talebanët po arrestojnë dhe/ose kërcënojnë se do të vrasin ose arrestojnë anëtarët e familjeve të individëve të synuar, nëse ata nuk i dorëzohen talebanëve,” thuhet në dokumentin të cilit i referohet ta ketë parë rrjeti BBC.
Aty, siç përcjell Gazeta Online ‘Reporteri.net’ në shqip, theksohet se rrezik të veçantë nga talbanët kanë afganët me pozicione në ushtri, polici dhe njësi hetimore, të cilët konsiderohen se kanë bashkëpunuar me forcat perëndimore.
“Talebanët kanë kryer targetuar paraprakisht individëve para se të merrnin nën kontroll të gjitha qytetet e mëdha,” thotë raporti konfidencail i OKB-së.
Aty tregohet se talebanët po kontrollonin për këta individë edhe gjatë kohës kur po lejonin evakuimin e personelit të huaj nga aeroporti i Kabulit, përkundër se situata aty ishte “kaotike”.
Sipas raportit, talebanët po rekrutojnë rrjete të reja informimi për të bashkëpunuar me regjimin e ri në Afganistan.
Mijëra njerëz janë përpjekur të largohen nga Afganistani që kur militantët islamikë morën kontrollin e kryeqytetit Kabul më 15 gusht.
Për 20 vjet në Afganistan kanë qenë të pranishme forcat e huaja të udhëhequra nga SHBA-ja por ato filluan tërheqjen më 1 maj të këtij viti.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka thënë se qëllimi i misionit në Afganistan nuk ka qenë shtet-ndërtimi por parandalimi i terrorizmit. /Reporteri.net/.