×
  • Lajme
  • Botë

    Referendumet e rreme, ukrainasit po detyrohen me forcë të votojnë

    Reporteri
    23 Shtator 2022 | 19:19

    Banorët e zonave të okupuara nga Rusia po i injorojnë referendumet e rreme të organizuara nga Kremlini për t’i bërë ato zona pjesë të territorit të shtetit rus.

    Kështu kanë raportuar zyrtarët ukrainas.

    Megjithatë, në disa raste, banorët po detyrohen me forcë që të votojnë, shkruan CNN, transmeton Gazeta Online Reporteri.net.

    Këto referendume të rreme, që pritet të mbahen nga e premtja deri të martën në katër rajone të Ukrainës, janë konsideruar nga qeveritë perëndimore si mashtrim.

    “Referendumet e tilla nuk ekzistojnë. Banorët po i injorojnë. Disa njerëz thjesht po detyrohen me forcë të votojnë. Madje disa autobusë janë dërguar nga Krimea me njerëz për të votuar”, tha Andriy Yusov, një zyrtar i Inteligjencës së Mbrojtjes së Ukrainës.

    Në anën tjetër, zyrtarët pro-rusë nga zonat e okupuara po mundohen të krijojnë një narrativë thuajse këto referendume përbëjnë një ndryshim historik.

    “Sot është një ditë që ndodh në histori një herë në disa shekuj. Unë personalisht e kam ditur se do të ndodh, gjithmonë. Gjithmonë jam ndier si pjesë e familjes së madhe të quajtur Rusi. ëndërrat janë bërë realitet”, tha Vladimir Saldo, kreu i administratës së rajonit Kherson, i mbështetur nga Rusia, në Telegram.

    Votimet vazhdojnë deri të martën. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!