×
  • Lajme
  • Botë

    Rekord infeksionesh në Australi, vatra azilet e të moshuarve

    Reporteri
    30 Korrik 2020 | 9:56

    Pandemia e Covidit ka prekur deri tani 17 milionë njerëz në të gjithë botën, me vatra më të rrezikuara SHBA-të dhe Amerika Jugore. Por rekorde të reja po shënohen edhe në kontinentin e largët të Australisë.


    Australia ka regjistruar ditën më të zezë që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit, duke raportuar të enjten 13 viktima dhe më shumë se 700 të prekur nga infeksioni vdekjeprurës.

    Në shtetin e Viktorias, qeveria urdhëroi të gjithë banorët të mbajnë maska edhe në mjediset e hapura.

    Megjithëse kryeqyteti është izoluar prej tri javësh, autoritetet thanë se karantinimi i popullatës nuk po funksionon si duhet, ndaj edhe qytetarëve u është bërë thirrje të testohen sa më shpejt nëse shfaqin simptoma të kovidit të ri.

    7 mijë raste janë njoftuar vetëm nga muaji qershor kur mësohet se nisi vala e dytë e infeksionit, kur i gjithë vendi deri tani shënon një total prej 16 mijë të infektuarish dhe 189 jetë të humbura.

    Situatë më e rënduar paraqitet për moshat e mëdha që jetojnë në azile apo qendra kujdestarie.

    Personeli ushtarak është shpërndarë në këto vatra kovidi për të dhënë ndihmën e tyre.

    “Ata po neglizhohen dhe kjo është për të ardhur keq. Qëndrojnë të mbyllur në dhomë prej tre javësh. Duhet t’i nxjerrin në një vend të sigurt, t’i dërgojnë në spital. Njerëzit po vdesin,” tregon vajza e një banoreje në një banesë për të moshuarit në Melburn.

    Ndërkohë, anembanë botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vijojnë të shënojnë rekorde të reja për përmasat e pandemisë, me 4,4 milionë të infektuar dhe më shumë se 150 mijë jetë të humbura, 10 mijë vetëm në 11 ditët e fundit.

    Rekorde të larta ditore u regjistruan edhe në kontinentin e Amerikës Jugore me 69 mijë raste të reja të prekura me kovidin e ri dhe gati 1.600 viktima në 24 orë.

    Në Azi, Kina raportoi 105 raste të reja brenda ditës, 96 prej tyre vetëm në rajonin autonom të ujgurëve, në Shinxhiang, por asnjë rast vdekjeje, ndërkohë që në Hong-Kong, guvernatorja e qytetit udhëzoi banorët të qëndrojnë sa më gjatë në banesa për të evituar kolapsin e sistemit shëndetësor dhe pasojat në jetë njerëzish.

    Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi Europën një ditë më parë se moshat e reja mes 20 dhe 39 vjeç po ndihmojnë shpërthimin e vatrave të reja në kontinent me moskujdesin për distancat fizike dhe moskufizimin e kontakteve me të tjerët në këtë sezon pushimesh.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!