×
  • Lajme
  • Botë / SHBA

    Republikanët bllokojnë përpjekjen për publikimin e rezultateve të hetimit ndaj ish-ligjvënësit Matt Gaetz

    Reporteri
    06 Dhjetor 2024 | 8:04

    Dhoma e Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara bllokoi të enjten një përpjekje për të përshpejtuar publikimin e një hetimi etik ndaj ish-ligjvënësit Matt Gaetz, i cili u tërhoq nga gara për t’u bërë prokuror i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara në administratën e ardhshme të Presidentit të zgjedhur Donald Trump.

    Hetimi u përqëndrua në akuzat kundër zotit Gaetz për marrëdhënie seksuale me një vajzë adoleshente dhe përdorimin e drogës. Dhoma e Përfaqësuesve me shumicë republikane me 206 vota kundër dhe 98 pro hodhi poshtë nismën e paraqitur nga një ligjvënës demokrat.

    Gaetz, 42 vjeç, dha dorëheqjen nga Kongresi në nëntor disa orë pasi zoti Trump e emëroi atë si kandidat për postin e prokurorit të përgjithshëm. Ai i ka mohuar të gjitha akuzat për shkelje.

    Komisioni i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve u takua më herët të mërkurën dhe nuk mori asnjë vendim për gjetjet e hetimit të tij ndaj zotit Gaetz. Dorëheqja e tij nga Kongresi ngriti pikëpyetje mbi nevojën e publikimit të gjetjeve nga Komisioni i Etikës, duke qenë se ai teknikisht nuk ka më juridiksion mbi të.

    Ligjvënësi demokrat Sean Casten, i cili propozoi nismën që kërkon votim nga Dhoma e Përfaqësuesve për publikimin e gjetjeve të Komisionit të Etikës, përmendi të paktën katër shembuj që nga viti 1987 të Komisionit të Etikës, që vazhdoi punën e tij dhe publikoi gjetjet hetimore pasi një ligjvënësi ksihte dhënë dorëheqjen nga Kongresi.

    Komisioni, i përbërë nga pesë republikanë dhe pesë demokratë, u bllokua në linja partiake muajin e kaluar në votimin për publikimin e rezultateve të hetimit.

    Në atë kohë, republikani kryesor i saj, Përfaqësuesi Michael Guest, u tha gazetarëve se kishte “rezerva” për publikimin e raportit sepse ai nuk ishte ende i plotë. Udhëheqësja e demokratëve në këtë komision, ligjvënësja Susan Wild, tha se nuk kishte unanimitet brenda Komisionit të Etikës mbi hapat e ardhshëm për hetimin./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!