Të reshurat e mëdha të shiut që kanë përfshirë këto ditë Bosnjë dhe Hercegovinën kanë shkaktuar përmbytje të mëdha në pjesët veriore dhe qendrore të vendit.
Në këto pjesë raportohet për probleme me energji elektrike dhe furnizim me ujë. Lumenjtë që dolën nga shtrati në veri të Bosnjës bënë që trafiku të bllokohet tërësisht, ndërkohë që gjendja më e rënduar paraqitet në zonën e Teslliqit, Zepcës dhe Zavidoviqit, raportojë mediat lokale.
Gjendja e jashtëzakonshme si pasojë e të reshurave të shiut është shpallur për Komunën e Tesliqit pasi të gjithë lumenjtë në atë zonë kanë dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje të mëdha. Në atë zonë komunikacioni është ndërprerë tërësisht, transmeton Reporteri.net.
https://twitter.com/sandra_sandra_J/status/1128048157215154176
Gjendje e jashtëzakonshme është shpallur edhe në Banja Llukë nga e hëna në mbrëmje, gjersa pjesëtarët e Mbrojtjes Civile janë në gjendje alarmi, të vendosur në zonat kritike të vendit për shkak të përmbytjeve të mundshme. Aty shumë shkolla janë mbyllur dhe banorët kanë mbetur të bllokuar në shtëpitë e tyre.
Në disa pjesë të vendit nga banorët është kërkuar edhe ndërhyrja e ushtrisë për t’u dalë në ndihmë.
Mirëpo, Ministria e Mbrojtjes e Bosnjës njoftoi në një deklaratë se ata duhet të jenë instanca e fundit për të ofruar ndihmë dhe se kërkesa për angazhimin e Forcave të Armatosura të Bosnjës dërgohet vetëm pasi të jenë shterur të gjitha burimet e institucioneve të tjera kompetente./Reporteri.net