×
  • Lajme
  • Botë

    Rrezikonin jetën e miliona njerëzve: Malazezët kapen me kokainë në vlerë një miliard euro në SHBA

    Reporteri
    26 Qershor 2019 | 9:40

    Një anije me drogë u kap javën e kaluar pranë Portit të Filadelfias. Për shkak të ngarkesës së rëndë prej 16.5 ton dhe me vlerë më shumë se një miliard euro, në pranga janë vënë katër shtetas malazezë, ndërkohë që FBI po mban edhe dhjetë marinarë të tjerë malazezë, me dyshimin se ata gjithashtu ishin të përfshirë në kontrabandimin e një sasie rekorde të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, shkruajnë mediat malazeze, transmeton Reporteri.net.


    “Dikush do të duhet të paguajë për sekuestrimin e 17.5 ton kokaine, dikush do të duhet të vdesë për shkak të kësaj. Bosët e drogës patjetër se do t’i fajësojnë disa njerëz për dështimin e punës dhe ata do të duhet ta paguajnë me kokën e tyre”. Kështu  u shpreh kreu i lartë i DEA-s, Pedro Janer për mediat amerikane.

    Janer u shpreh se me gjasë një pjesë e ngarkesës ishte e destinuar të qëndronte në Filadelfia, nga ku do të transportohej në pjesë të tjera të Shteteve të Bashkuara.

    “Pjesa e dytë duhej të mbërrinte në Evropë, ku kontraktorët do ta ndanin sërish atë dhe do të vazhdonin ta transportonin në destinacionet përfundimtare”, shpjegon Janer.

    Se në mesin e anëtarëve të ekuipazhit shumica janë shtetas malazez e kanë konfirmuar edhe mediat malazeze përmes disa dokumenteve të publikuara.

    Dokumenti i konfiskuar nga FBI përfshin të gjitha detajet e anëtarëve të ekuipazhit të anijes, si dhe kohën dhe datën e ngarkimit të ngarkesave, licencën e detarëve, pikën e fillimit dhe destinacionin përfundimtar. Vetëm dy anëtarë të ekuipazhit të cilët u arrestuan pranuan se kishin marrë pjesë në kontrabandën e narkotikëve, ndërsa marinarët e tjerë malazezë pretendonin se nuk kishin të bënin asgjë me kokainën e gjetur.

    Vlera e drogës së sekuestruar vlerësohet të jetë  më shumë se një miliard euro. Hetimi gjithashtu përfshinte agjentët e DEA-s amerikane. Një nga zyrtarët e agjencisë tha se anija kishte lëvizur nga Kili në Evropë. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!