Numri i viktimave nga shpërthimi masiv në portin kyç të Iranit, Shahid Rajaei, ka shkuar në 70, thanë autoritetet lokale. Ndërkaq, ministri i Brendshëm iranian fajësoi “neglizhencën” për incidentin, ku u plagosën më shumë se 1.000 persona.
Eskandar Momeni deklaroi për televizionin shtetëror iranian në mbrëmjen e 28 prillit se “mosrespektimi i masave të sigurisë dhe pakujdesia” kishin shkaktuar incidentin, megjithëse nuk ishte e qartë menjëherë se çfarë e shkaktoi zjarrin në depot e materialeve të rrezikshme dhe kimike.
Momeni tha se disa “fajtorë janë identifikuar dhe thirrur nga autoritetet” por nuk dha më shumë detaje.
Mehrdad Hassanzadeh, drejtori i zyrës për menaxhimin e krizave në provincën jugore Hormozgan, ku ndodhet porti që u përball me shpërthimin masiv, tha për televizionin shtetëror iranian se shumica e të plagosurve, veçse janë liruar nga spitali.
Më 27 prill, një ditë pas shpërthimit, Hossein Zafari, zëdhënës i organizatës për menaxhimin e krizave në Iran, dukej se i la fajin ruajtjes në mënyrë jo të duhur të kemikateve që gjendeshin në kontejnerë në këtë port.
Të dhënat publike sugjerojnë se Irani kishte pranuar në këtë port në shkurt dhe mars ngarkesa me përbërës kimikë nga Kina, që përdoren për karburant raketash. Megjithatë, një zëdhënës i Ministrisë iraniane të Mbrojtjes ka mohuar se ndonjë ngarkesë me përdorim ushtarak, përfshirë karburantin për raketa, po ruhej në vendin ku ndodhi shpërthimi.
Gazeta The New York Times citoi një burim anonim, të lidhur me Gardën Revolucionare të Iranit, i cili tha se substanca që shpërtheu ishte natrium perklorat, një përbërës kyç në karburantin e ngurtë, që përdoret për raketa.
Mes kritikave në rritje ndaj zyrtarëve për incidentin, regjisori i njohur iranian Jafar Panahi bëri thirrje për një “referendum të lirë dhe transparent, nën mbikëqyrje ndërkombëtare, për t’ia kthyer sovranitetin popullit”.
Në një postim në Instagram, Panahi e përshkroi shpërthimin si simbol të “kolapsimit të një regjimi që ka çuar Iranin drejt shkatërrimit për gati gjysmë shekulli”.