Shtetet e Bashkuara kanë nisur evakuimin e stafit jo thelbësor dhe të familjarëve të tyre nga ambasada amerikane në Bagdad, si pasojë e rritjes së rrezikut të sigurisë në Irak.
Zyrtarët nuk dhanë detaje të sakta mbi shkakun e këtij vendimi, por sipas raportimeve të CBS, SHBA-të janë njoftuar të mërkurën se Izraeli është i gatshëm të nisë një operacion ushtarak ndaj Iranit – një faktor që mendohet se ka ndikuar në këtë vendim.
Sipas të njëjtave burime, ekziston frika se Irani mund të hakmerret ndaj objektivave amerikane në Irak nëse Izraeli ndërmerr një sulm, gjë që ka shtyrë autoritetet amerikane të këshillojnë qytetarët e tyre që të largohen nga rajoni.
Ky zhvillim ndodh në një moment kur bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor iranian janë bllokuar. Emisari amerikan për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, pritet të takohet me ministrin e jashtëm iranian Abbas Araghchi të dielën në Muskat, për raundin e gjashtë të negociatave.
Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Shtetit deklaroi për BBC-në: “Ne vlerësojmë vazhdimisht situatën e personelit në ambasadat tona. Bazuar në analizën më të fundit, vendosëm të zvogëlojmë praninë tonë në Irak.”
Presidenti Donald Trump deklaroi të mërkurën nga Qendra Kennedy se amerikanët janë këshilluar të largohen nga rajoni sepse “mund të bëhet një vend i rrezikshëm”. Ai theksoi gjithashtu se SHBA nuk do të lejojë Iranin të zhvillojë një armë bërthamore.
Trump ka shprehur gjithnjë e më shumë dyshime mbi qëllimin e Iranit për të ndaluar pasurimin e uraniumit dhe ka zhvilluar këtë javë një telefonatë 40-minutëshe të tensionuar me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili përkrah një qasje ushtarake ndaj Iranit.
Ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, paralajmëroi se Irani do të sulmonte bazat amerikane në rajon në rast se bisedimet dështojnë dhe SHBA ndërmerr sulme ushtarake.
Sipas Reuters, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth ka autorizuar gjithashtu largimin vullnetar të familjarëve të personelit ushtarak amerikan nga vende të tjera të Lindjes së Mesme, përfshirë Kuvajtin dhe Bahreinin.
Aktualisht, në Irak janë të stacionuar rreth 2,500 trupa amerikane, sipas Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së.