Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, do të udhëtojë drejt Turqisë për të marrë pjesë në bisedimet midis Ukrainës dhe Rusisë që pritet të zhvillohen të enjten në Stamboll.
Lajmi u konfirmua nga Presidenti amerikan Donald Trump gjatë një deklarate të dhënë në Riad, ku ai po qëndron për një vizitë zyrtare.
Trump shprehu optimizëm për përparimin e mundshëm në përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit që ka nisur në fillim të vitit 2022. “Kam punuar pa pushim për t’i dhënë fund gjakderdhjes së tmerrshme midis Rusisë dhe Ukrainës,” tha ai. “Bisedimet që do të zhvillohen në Turqi këtë javë, ndoshta të enjten, mund të japin disa rezultate mjaft të mira.”
Presidenti amerikan bëri të ditur se përveç Rubio-s, në bisedime do të marrin pjesë edhe të dërguarit e tij specialë, Keith Kellogg dhe Steve Witkoff. Trump nuk përjashtoi mundësinë e pjesëmarrjes së tij në Stamboll, nëse do të vlerësojë se prania e tij do të ishte e dobishme për procesin.
Bisedimet janë propozuar nga Presidenti rus Vladimir Putin të dielën, dhe kanë marrë mbështetjen e Turqisë dhe SHBA-së. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në takim, ndërsa pjesëmarrja e Putinit mbetet ende e paqartë.
Ndërkohë, Rubio do të qëndrojë në Antalia të Turqisë nga 14 deri më 16 maj për të marrë pjesë në një takim joformal të ministrave të jashtëm të NATO-s, çka përkon me zhvillimet diplomatike që po intensifikohen në rajon.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.