Irani ka “më pak kapacitet” për të prodhuar shpejt një armë bërthamore dhe është “shumë më larg” nga realizimi i saj sot për shkak të sulmeve të SHBA-së ndaj tre objekteve bërthamore në vend, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, të mërkurën në Hagë.
“Zbulimet nga inteligjenca janë ndër gjërat më frustuese që ekzistojnë,” tha Rubio, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me raportimin e CNN për një vlerësim të hershëm të inteligjencës, sipas të cilit sulmet amerikane nuk e kanë shkatërruar bërthamën e programit bërthamor të Iranit dhe ka të ngjarë që vetëm ta kenë vonuar atë për disa muaj.
Rubio shtoi se shpesh inteligjenca “keqinterpretohet”.
“Programi bërthamor i Iranit sot është shtyrë prapa ndjeshëm në krahasim me një javë më parë. Ai është në gjendje shumë më të keqe sot për shkak të veprimeve të SHBA-së dhe disa veprimeve të ndërmarra nga Izraeli,” tha Rubio për “Politico”.
“Pra, në fund të ditës, ata janë shumë më larg armës bërthamore sot sesa ishin para se presidenti të merrte këtë hap të guximshëm,” shtoi ai, duke theksuar se është shkaktuar “dëmtim shumë i rëndësishëm dhe i konsiderueshëm” në “një sërë komponentësh të ndryshëm”.
Ai shtoi se SHBA-ja është “ende duke mësuar më shumë për këtë”, pasi dëmet ndodhën “thellë nën tokë”.
/Reporteri.et/
Liza Gashi, zëvendësministre në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, për situatën në Izrael tha se 40 qytetarë të Kosovës sa ishin atje, 13 prej tyre po qëndrojnë ende, ku 5 nga ta janë pjesëtarë të OKB-së, të cilët punojnë në atë vend.
Gashi që në fillim bëri të ditur se në Izrael janë 40 qytetarë të Kosovës, ku pjesa dërmuese e tyre tanimë janë evakuuar dhe aktualisht atje ndodhen 13 qytetarë që nuk kanë shfaqur dëshirë të rikthehen në Kosovë, ku 5 nga ta janë pjesëtarë të OKB-së, të cilët punojnë në Izrael.
Ajo bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të jenë në kontakt me Ambasadën ë Kosovës në Izrael, në mënyrë që të koordinohen për evakuimin e tyre në rast se dëshirojnë të kthehen në vendlindje.
Gashi bëri të ditur ndihmesën e ambasadave të tjera si të Shqipërisë, atë të Greqisë, të Bullgarisë dhe Egjiptit, por edhe të Jordanisë, të cilat mundësuan kthimin e qytetarëve të vendit në vendlindje, ku rol të rëndësishëm patën Egjipti dhe Jordania.
“Tani po ndjekim me shumë vëmendje zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe jemi në dispozicion të të gjithë qytetarëve tanë që jetojnë atje për t’u dalë në ndihmë”, tha Gashi në InfoPlus, RTK.
Ajo njoftoi për gjendjen e një qytetareje të Kosovës, e cila ka qenë shtruar në spital, por që në kohën e sulmit nga Irani, fatmirësisht nuk ka qenë në atë vend dhe ka shpëtuar nga më e keqja dhe shtoi se Ambasada është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e saj, 4 anëtarësh, dhe premtoi se për çdo risi do të informojnë opinionin publik.
Të paktën 627 persona janë vrarë në Iran gjatë përplasjes me Izraelin në periudhën midis 13 dhe 25 qershorit, raportoi të mërkurën media shtetërore iraniane IRIB, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë të vendit.
Sipas të njëjtit burim, të paktën 4,870 persona të tjerë janë plagosur gjatë kësaj periudhe.
Ministria e Shëndetësisë bëri të ditur se 86% e viktimave humbën jetën në vendin e sulmeve izraelite, siç u citua nga IRIB.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, është deklaruar pas Samitit të NATO’s, duke thënë se ishte “rrugë e gjatë, por që ia vlejti”, shkruan “The Guardian”, përcjell Reporteri.net.
Trump tha se në këtë samit u arritën gjëra të jashtëzakonshme.
Ai lavdëroi organizatorët, Holandën, sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, dhe më pas iu rikthye goditjes së fundit “masive” ndaj objekteve bërthamore të Iranit.
“Ky demonstrim i jashtëzakonshëm i forcës amerikane ka hapur rrugën për paqe, një marrëveshje historike për armëpushim të hënën.”
Ai e përshkroi konfliktin si: “Ne e quajmë Lufta 12-ditore. Fola me disa njerëz, dhe mendoj se thjesht dukej si emri i duhur, ‘lufta 12-ditore’.”
Ndryshe, udhëheqësit e NATO-s janë zotuar të investojnë 5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm çdo vit në shpenzimet e mbrojtjes dhe sigurisë deri në vitin 2035 “për të siguruar që detyrimet individuale dhe kolektive” të përmbushen, sipas tekstit përfundimtar të deklaratës së samitit të Hagës të miratuar në takimin e së mërkurës.
Në deklaratë thuhet se se anëtarët do të paraqesin “plane vjetore” që vërtetojnë “një rrugë të besueshme dhe graduale për të arritur këtë qëllim”, me një shqyrtim më gjithpërfshirës të progresit që do të bëhet në vitin 2029.
Deklarata me pesë pika përfshin gjithashtu “angazhimin e palëkundur të 32 vendeve për mbrojtjen kolektive, siç përcaktohet në Nenin 5 të Traktatit të Uashingtonit – se një sulm ndaj njërit është një sulm ndaj të gjithëve”.
Dokumenti përfshin po ashtu një rresht që premton mbështetje të mëtejshme për Ukrainën dhe thekson se “siguria e saj kontribuon në tonën”, por nuk dënon drejtpërdrejt Rusinë.
Megjithatë, ai përfshin një rresht të veçantë mbi “kërcënimin afatgjatë që paraqet Rusia për sigurinë euroatlantike”./Reporteri.net
Liderët e NATO-s zotohen për 5% shpenzime të mbrojtjes deri më 2035
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu ka falënderuar Presidentin e ShBA-së, Donald Trump ka shprehur mirënjohjen e tij ndaj Presidentit amerikan, Donald Trump.
Netanyahu ka shpërndarë në platformën X një video nga konferenca për shtyp e Trump-it gjatë samitit të NATO-s në Holandë, ku Trump tha se Netanyahu “duhet të ndihet vërtet krenar për veten” dhe se Irani “nuk do të ndërtojë bomba për një kohë të gjatë”.
Në përgjigje, kryeministri izraelit shkroi: “Faleminderit, President Trump.”
/Reporteri.net/
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dha një përshkrim të mënyrës se si Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po e trajton krizën në Lindjen e Mesme gjatë bisedimeve të tyre të mërkurën.
Pasi Trump e krahasoi përplasjen mes Izraelit dhe Iranit me “dy fëmijë në oborrin e shkollës”, Rutte ndërhyri duke thënë se “babai ndonjëherë duhet të përdorë gjuhë të ashpër,” tha ai.
Në këtë rast, ishte e qartë kush ishte “babai”, shkruan CNN.
“Duhet të përdorësh gjuhë të ashpër,” u përgjigj Trump. “Të gjithë thonë, ‘Epo, duhet të përdorësh një fjalë të caktuar.’”
Trump mund t’i jetë referuar komenteve që bëri një ditë më parë, teksa largohej nga Shtëpia e Bardhë, jo shumë kohë pasi palët kishin rënë dakord për një armëpushim të ndërmjetësuar nga Katari.
“Janë dy shtete që kanë luftuar aq fort dhe aq gjatë, sa nuk e dinë çfarë dreqin po bëjnë,” tha Trump i irrituar, duke folur për Izraelin dhe Iranin teksa nisej drejt samitit të NATO-s në Holandë.
Krahasimi i Rutte-s ishte në harmoni me qasjen e tij të përgjithshme ndaj Trump-it këtë javë. Në një mesazh privat, që më pas Trump e bëri publik, Rutte e lavdëroi fuqishëm goditjen e Trump-it ndaj objektivave në Iran.
“Ajo ishte vërtet jashtëzakonshme, dhe diçka që askush tjetër nuk guxoi ta bëjë,” shkroi Rutte.
/Reporteri.net/
Ligjvënësit iranianë votuan me shumicë dërrmuese për të pezulluar bashkëpunimin e Teheranit me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), pas bombardimeve ndaj objekteve bërthamore të Iranit gjatë fundjavës, në kuadër të konfliktit 12-ditor me Izraelin.
Projektligji, i cili sipas mediave shtetërore u miratua më 25 qershor me 221 vota pro dhe asnjë kundër, duhet ende të miratohet nga Këshilli i Gardës – organi që vlerëson përputhshmërinë me Kushtetutën.
Vendimin përfundimtar për zbatimin e tij e merr Këshilli i Lartë i Sigurisë Kombëtare (SNSC).
Ky këshill, në aspektin formal, drejtohet nga presidenti, por si të gjitha institucionet kyçe shtetërore në Iran, përgjigjet drejtpërdrejt para udhëheqësit suprem, Ajatollah Ali Khamenei.
Izraeli kreu një sulm të paprecedentë më 13 qershor ndaj objekteve kyçe bërthamore dhe ushtarake të Iranit, si dhe ndaj zonave të banuara – gjë që nxiti reagimin e Iranit, po ashtu, me sulme.
Lufta mori dhjetëra jetë civile nga të dyja palët, ndërsa më 24 qershor u arrit një armëpushim i brishtë me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.
Më 21 qershor, Shtetet e Bashkuara goditën tri objekte bërthamore në Fordo, Natanz dhe Isfahan.
“Në dritën e shkeljes së sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial të Republikës Islamike të Iranit nga regjimi zionist dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në lidhje me objektet bërthamore paqësore të vendit, si dhe duke vënë në rrezik interesat madhore të Republikës Islamike të Iranit… Qeveria obligohet që menjëherë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, të pezullojë të gjithë bashkëpunimin me IAEA-n në kuadër të Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) dhe marrëveshjeve përkatëse”, thuhet në tekstin e projektligjit.
Nëse miratohet, ky ligj do ta kushtëzojë heqjen e pezullimit me ofrimin e garancive që objektet bërthamore dhe shkencëtarët iranianë të jenë të sigurt, si dhe me njohjen e së drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit brenda vendit.
Ndër objektivat e sulmeve izraelite ishin edhe shkencëtarët e përfshirë në programin bërthamor iranian.
Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore dhe se nuk synon zhvillimin e armëve bërthamore.
Pezullimi i bashkëpunimit me IAEA-n nënkupton ndërprerjen e inspektimeve, raporteve dhe aktiviteteve të mbikëqyrjes në kuadër të NPT-së.
Kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, kritikoi IAEA-n duke thënë se ajo “as nuk u mundua të dënojë sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit”, duke e akuzuar se “ka nxjerrë në shitje besueshmërinë e saj ndërkombëtare”.
Teherani prej vitesh e ka akuzuar IAEA-n për anshmëri dhe bashkëpunim me fuqitë perëndimore dhe Izraelin kundër Iranit.
Drejtori i Përgjithshëm i IAEA-s, Rafael Grossi, prej vitesh ka shprehur shqetësim për mungesën e bashkëpunimit të Iranit me agjencinë, veçanërisht në hetimet për disa objekte të padeklaruara bërthamore.
“Organizata e Energjisë Atomike të Iranit do ta pezullojë bashkëpunimin me agjencinë derisa të garantohet siguria e objekteve bërthamore, ndërsa programi bërthamor paqësor i Iranit do të përparojë me ritëm më të shpejtë”, tha Qalibaf, ndërsa ligjvënësit brohorisnin “vdekje Amerikës” dhe “vdekje Izraelit”./REL
Është një set të ri imazhesh satelitore gjatë natës, që tregojnë vendndodhjet bërthamore të Iranit në Isfahan, Fordo dhe Natanz.
Këto ishin tre nga objektivat e goditura nga ushtria amerikane gjatë fundjavës, përmes bombarduesve B-2 dhe raketave lundruese, dhe janë gjithashtu goditur edhe nga sulmet ajrore izraelite.
Presidenti amerikan Donald Trump, ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se sulmet amerikane shkaktuan një “shkatërrim total” të këtyre objekteve.
Imazhet me rezolucion të lartë të publikuara nga Maxar Technologies tregojnë dëmtime në ndërtesa si mbi ashtu edhe nën tokë, si dhe në rrugët e aksesit dhe tunelet përreth.
/Reporteri.net/
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka krahasuar sulmet amerikane ndaj Iranit gjatë fundjavës me bombat atomike që u hodhën mbi Japoninë gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Trump ka thënë se në thelb janë e njëjta gjë, shkruan “The Guardian”, përcjell Reporteri.net.
“Nuk dua të përdor shembullin e Hiroshimës, nuk dua të përdor shembullin e Nagasakit, por ishte në thelb e njëjta gjë — ajo e përfundoi një luftë”, tha Trump gjatë Samitit të NATO-s në Hagë, të mërkurën.
Sipas Trump, sulmi ndaj objekteve bërthamore të Iranit e përfundoi luftën mes Izraelit dhe Iranit.
“Kjo [sulmi ndaj objekteve bërthamore të Iranit] e përfundoi luftën [mes Izraelit dhe Iranit]. Nëse nuk do t’i kishim goditur, ata do të ishin ende duke luftuar tani,” shtoi ai./Reporteri.net
Shefi i NATO’s, Mark Rutte, është deklaruar rreth mesazhit që ia publikoi dje Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Rutte ka thënë se është “krejtësisht në rregull” që Trump ndau publikisht një mesazh lavdërues që ai i kishte dërguar, ndërsa po udhëtonte drejt Holandës për samitin e liderëve të mërkurën, duke theksuar se gjithçka që shkroi në atë mesazh ishte e vërtetë, shkruan CNN, përcjell Reporteri.net.
“Ajo që i thashë në mesazh, është krejtësisht në rregull që ai e publikoi,” tha Rutte teksa samiti po fillonte në Hagë. “Mendoj se është fakt.”
Ai hodhi poshtë pyetjen e një gazetari që sugjeroi nëse situata ishte disi e turpshme.
“Absolutisht jo,” tha ai.
“Ajo që është në atë mesazh është një deklaratë faktike dhe jam plotësisht në rregull që ai e ndau.”
Mesazhi, të cilin Trump e postoi në rrjetin e tij Truth Social teksa po fluturonte drejt Evropës të hënën, lavdëronte liderin amerikan për presionin ndaj vendeve anëtare të NATO-s që të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.
“Ti do të arrish diçka që asnjë president amerikan prej dekadash nuk ka mundur ta realizojë. Evropa do të paguajë në mënyrë të MADHE, ashtu siç duhet, dhe kjo do të jetë një fitore për ty,” shkroi Rutte, përpara se t’i uronte Trump-it udhëtim të mbarë drejt Holandës për samitin e NATO-s.
Gjatë të njëjtit udhëtim, Trump nuk shprehu mbështetje të plotë për nenin 5 të traktatit të NATO-s, që lidhet me mbrojtjen kolektive. Por Rutte tha se nuk ishte i shqetësuar.
“Për mua ka qartësi të plotë që Shtetet e Bashkuara janë plotësisht të angazhuara ndaj NATO-s, plotësisht të angazhuara ndaj nenit 5, dhe po — ekziston edhe një pritshmëri, që do të përmbushet sot — që kanadezët dhe evropianët do të përshpejtojnë shpenzimet e tyre,” tha ai të mërkurën./Reporteri.net
Presidenti amerikan ka reaguar mbi raportimet se programi bërthamor i Iranit nuk u shkatërrua nga sulmet amerikane.
Duke folur me gazetarët në Air Force One, presidenti amerikan thotë se të tre centralet bërthamore në Iran u goditën “në mënyrë perfekte” dhe u shkatërruan.
Ai gjithashtu kritikoi raportimet e mediave amerikane lidhur me këtë çështje
Më parë ai sulmoi në mediat sociale mediat për përpjekjen për të poshtëruar, siç tha ai “një nga sulmet ushtarake më të suksesshme në histori”.
Trump po ashtu tha se nuk dëshiron të shohë ndryshim regjimi në Iran.
“Do të doja që gjithçka të qetësohej sa më shpejt të ishte e mundur. Ndryshimi i regjimit kërkon kaos, dhe idealisht nuk duam të shohim kaq shumë kaos”, shton ai.
Trump thotë gjithashtu se Vladimir Putin telefonoi për të ofruar ndihmën e tij me konfliktin e Iranit, por ai thotë se e refuzoi ofertën dhe i tha presidentit rus: “Jo, nuk kam nevojë për ndihmë me Iranin, kam nevojë për ndihmë me ty”. /Reporteri.net/
Liderët e vendeve anëtare të NATO-s janë mbledhur sot në Holandë për Samitin e NATO’s, që do të vazhdojë edhe nesër.
Ky është një takim i planifikuar, dhe pika më e rëndësishme në rendin e ditës është një plan për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen. Megjithatë, liderët kanë diskutuar gjithashtu edhe situatën në Lindjen e Mesme, shkruan BBC, përcjell Reporteri.net.
Sipas Zyrës së Kryeministrit britanik (Downing Street), gjatë një takimi mes Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar Keir Starmer, Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Kancelarit gjerman Friedrich Merz, liderët “reflektuan mbi situatën e paqëndrueshme në Lindjen e Mesme” dhe ranë dakord se “tani është momenti për diplomaci dhe që Irani të ulet në tryezën e negociatave.”
Pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump deklaroi se Izraeli dhe Irani janë pajtuar për një armëpushim, palët e kanë akuzuar njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes dhe kanë shkëmbyer sulme.
Presidenti Trump është shprehur i mllefosur me të dyja palët dhe më pas ka biseduar me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu.
Zyrtarë të të dyja vendeve – Izraelit dhe Iranit – e kanë pranuar ndërkohë marrëveshjen për armëpushim dhe kanë thënë se po e zbatojnë.
Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian e ka lëshuar një deklaratë duke pranuar armëpushimin me Izraelin, sipas medias shtetërore.
Pezeshkian ka thënë se konflikti i është “imponuar” Iranit nga “aventurat” e Izraelit, dhe ka pretenduar se “populli i Iranit” është i vendosur për përfundim të “luftës 12-ditore”.
Ushtria izraelite e ka lëshuar një deklaratë përmes së cilës e pranon armëpushimin me Iranin dhe ka thënë se “fokusi tani zhvendoset sërish në Gazë”.
Gjenerali Eyal Zamir ka thënë se ushtria ka kryer “fazë të rëndësishme, por fushata kundër Iranit nuk ka përfunduar”.
“Po hyjmë në një fazë të re, të bazuar në arritjet e fazës aktuale. Kemi kthyer mbrapsht me vite projektin bërthamor të Iranit dhe e njëjta vlen për programin e tij raketor”, ka thënë ai.
Gjenerali Zamir i ka përshkruar veprimet e ushtrisë izraelite si “arritje fenomenale”.
Situata në Lindje të Mesme është e tensionuar prej sulmit të befasishëm të Izraelit në qendra bërthamore dhe ushtarake të Iranit më 13 qershor. Izraeli konsideron se Irani nuk mund të ketë armë
bërthamore sepse ia rrezikon ekzistencën, ndonëse Teherani pretendon se programin bërthamor e ka vetëm për qëllime paqësore.
Në konflikt janë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara më 22 qershor, duke sulmuar qendrat bërthamore të Iranit.
Si kundërpërgjigje, Irani ka nisur të nesërmen raketa drejt bazës ajrore amerikane në Katar, por raketat janë rrëzuar dhe nuk është plagosur askush./REL
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se Izraeli “nuk ka pasur kurrë mik më të mirë se Presidenti Trump në Shtëpinë e Bardhë”, raporton “The Guardian”, përcjell Reporteri.net.
Këtë deklaratë Netanyahu e ka bërë në një videoadresim për izraelitët.
Duke e përshkruar luftën e tij kundër Iranit si një “fitore historike” që “do të mbahet mend për breza”, Netanyahu tha se Izraeli “duhet ta përfundojë” fushatën kundër Iranit, ta mposhtë Hamasin dhe për të lirojë pengjet e mbetura në Gaza, “si të gjallë ashtu edhe të vdekur.”/Reporteri.net
Presidenti Trump ka mbërritur në Amsterdam për samitin e NATO-s, ku pritet të takohet me 32 liderët e aleancës së sigurisë dhe të marrë pjesë në një darkë të organizuar nga mbreti i Holandës, raporton BBC, përcjell Reporteri.net.
Avioni i tij ka zbritur në aeroportin Schiphol të Amsterdamit pak pas orës 19:30 me orën lokale.
Në bordin e Air Force One, Trump raportohet se ka folur me gazetarët që e shoqërojnë dhe ka përgëzuar Izraelin për tërheqje nga goditjet e mëtejshme ndaj Iranit.
Ai gjithashtu u ka thënë gazetarëve se pret të zhvillojë një bisedë me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në kuadër të samitit.
Ky është samiti i parë i NATO-s për Presidentin amerikan që nga viti 2019./Reporteri.net