×
  • Lajme
  • Botë / Kryeministri i Holandës

    Rumania i hap rrugën Mark Ruttes për t’u bërë shef i ri i NATO-s

    Reporteri
    20 Qershor 2024 | 15:12
    Kryeministri i Holandës, Mark Rutte. Foto: Wal / ANP / AFP)

    Rumania ka vendosur ta mbështesë kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, për t’u bërë shef i ardhshëm i NATO-s, njoftoi të enjten Zyra e presidentit rumun, Klaus Iohannis, transmeton Radio Evropa e Lirë.

    Iohannis ishte pengesa e vetme në rrugën e Ruttes për ta marrë postin e sekretarit të Përgjithshëm të aleancës ushtarake.

    Por, Iohannis i njoftoi “aleatët e NATO-s kah fundi i javës së kaluar se ai e ka tërhequr kandidaturën e tij për postin e shefit të aleancës”, tha Zyra e tij të enjten.

    Të enjten, Këshilli Suprem për Mbrojtje Kombëtare i Rumanisë tha se “është në favor që Rumania ta mbështesë kandidaturën e kryeministrit holandez”, sipas komunikatës.

    Rumaninë ishte shteti i vetëm në mesin e 32 vendeve anëtare të NATO-s që nuk e kishte mbështetur liderin holandez 57-vjeçar.

    Hungaria dhe Sllovakia njoftuan për mbështetjen e Ruttes pas samitit të Bashkimit Evropian në fillim të kësaj jave.

    Por tani, me mbështetjen edhe të Rumanisë, Rutte e ka rrugën e hapur për t’u bërë shef i ri i NATO-s.

    Mandati i shefit të tanishëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, do të përfundojë më 1 tetor.

    Stoltenberg tha në Uashington të martën se aleanca “është shumë afër një vendimi që aleatët ta zgjedhin sekretarin e ardhshëm të Përgjithshëm. Mendoj se ky është lajm i mirë”.

    “Mendoj se Mark Rutte është kandidat shumë i fortë. Ai ka shumë përvojë si kryeministër”, tha Stoltenberg të martën.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!