×
  • Lajme
  • Botë

    Rumania thotë se pjesë të një droni rus ranë në territorin e saj

    Reporteri
    06 Shtator 2023 | 20:00

    Pjesë të një droni rus ranë në territorin e Rumanisë, tha të mërkurën ministri i Mbrojtjes i Rumanisë, Angel Tilvar, sipas televizionit Antena 3 CNN.

    Të martën, presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, tha se sulmet e reja në shtetin fqinj, Ukrainë, ndodhën “shumë, shumë pranë” kufirit rumun, pasi Rusia kreu sulme të vazhdueshme mbi infrastrukturën e Danubit në jug të Ukrainës.

    “Sulme pati sot, më tregoi ministri i Mbrojtjes, të cilat u verifikuan 800 metra larg kufirit tonë. Shumë, shumë afër”, tha Iohannis gjatë një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, më 5 shtator.

    Njoftimi i Iohannis erdhi, pasi Ukraina tha të hënën se dronët rusë ranë dhe shpërthyen në territorin rumun gjatë natës së 4 gushtit.

    “Sipas Shërbimit shtetëror të Rojeve Kufitare të Ukrainës, ‘Shahedët’ [lloj dronësh të prodhimit iranian] ranë dhe shpërthyen në territorin rumun natën, gjatë një sulmi masiv rus pranë portit të Izmailit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko të hënën.

    Por, Ministria e Mbrojtjes së Rumanisë i pati mohuar këto pretendime.

    Kjo ministri tha se sulmi me dronë në infrastrukturën e portit të Izmailit nuk paraqiti kërcënim direkt ushtarak për Rumaninë, shtet anëtar të NATO-s.

    Të hënën, Ukraina raportoi për dëme në infrastrukturën e portit të Izmailit, që gjendet në lumin Danub.

    Ky lum është shndërruar në rrugën kryesore prej nga po eksportohen drithërat ukrainase, pasi në korrik Rusia u tërhoq nga marrëveshja për eksportin e drithërave nga portet e Detit të Zi./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!