×
  • Lajme
  • Botë

    Rusët terrorizojnë banorët lokalë në Vojvodinë

    Reporteri
    11 Gusht 2020 | 9:58

    Përkundër kundërshtimit të banorëve lokalë, Industria e Naftës e Serbisë-NIS e cila është nën pronësi të Gazpromit rus, vazhdon shpimet dhe kërkimet për naftë në zonën turistiko-ekologjike afër liqenit të Paliqit, në Vojvodinë.


    Kjo zonë cilësohet si zonë me potencial turistik dhe fillimi i shpimeve për të kërkuar naftë dhe gaz besohet se do ta dëmtojë turizmin në këtë zonë atraktive, në pjesën veriore të Vojvodinës.

    Në emër të banorëve lokalë, për media është shprehur Zoltan Mikoviq, i cili ka thënë se janë të zhgënjyer në institucionet, si ato krahinore ashtu edhe ato republikane, të cilat janë treguar të pafuqishme që ta mbrojnë këtë zonë turistike dhe kanë pajisur NIS-in me leje për fillimin e hulumtimeve për naftë ne këtë zonë turistiko-ekologjike.

    Banorët ka muaj që janë duke protestuar dhe njëzëri janë duke kërkuar që urgjentisht të ndalen kërkimet në këtë zonë, ose më së paku që kërkimet të zhvendosen larg zonave të banimit.

    Banorët janë duke u ankuar se për shkak të shpimeve që janë duke u bërë, po shkaktohet zhurmë e madhe dhe kanë frikë që do të ju dëmtohen edhe shtëpitë dhe për këtë kanë kërkuar nga NIS që t’u kompensohen dëmet, pasi që në shtëpitë e tyre, tashmë, kanë filluar të shfaqen dëme.

    Karolj Njari, i cili është banorë i zonës, është shprehur se edhe pse tatimin në pronë për shtëpinë e paguajnë si zonë turistike, frikësohet se nga turizmi në këtë zonë nuk do të ketë asgjë dhe shtron pyetjen se kjo zonë a do t’i ngjajë zonave turistike apo zonës naftëmbajtëse të Dallasit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!