×
  • Lajme
  • Botë

    Rusia dëbon dy diplomatë amerikanë

    Reporteri
    14 Shtator 2023 | 22:59

    Rusia tha të enjten se po dëbon dy diplomatë amerikanë, duke thënë se ata kanë punuar me një qytetar rus të akuzuar për bashkëpunim me një shtet të huaj.

    Ministria e Jashtme tha në një deklaratë se kishte thirrur të dërguarën amerikane, Lynne Tracy dhe i kishte thënë se sekretari i parë i ambasadës, Jeffrey Sillin dhe sekretari i dytë David Bernstein duhet të largohen nga Rusia brenda shtatë ditëve.

    Ambasada amerikane e konfirmoi njoftimin. Departamenti i Shtetit në Uashington nuk ka komentuar ende.

    Në deklaratën e Moskës thuhet se personat e përmendur kanë kryer veprimtari të paligjshme, duke mbajtur kontakte me shtetasin rus R. Shonov.

    Robert Shonov kishte qenë i punësuar nga Konsullata e Përgjithshme e SHBA-së në qytetin lindor rus të Vladivostok për më shumë se 25 vjet derisa në vitin 2021 Rusia urdhëroi shkarkimin e stafit lokal të misionit të Shteteve të Bashkuara.

    Shërbimi rus i sigurisë publikoi një video në gusht që sipas këtij shërbimi tregonte Shonovin ku ai pranonte se diplomatët amerikanë i kishin kërkuar të mblidhte informacion në lidhje me përpjekjet luftarake të Rusisë në Ukrainë, aneksimin nga ana e saj të “territoreve të reja”, mobilizimin e saj ushtarak dhe zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.

    Në video, zoti Shonov tha se i ishte thënë të mblidhte informacion “negativ” për këto tema, të kërkonte për sinjale protestash popullore dhe t’i pasqyronte këto në raportet e tij.

    Shtetet e Bashkuara akuzuan Moskën për përpjekje për të frikësuar punonjësit amerikanë pasi media shtetërore ruse raportoi akuzat kundër zotit Shonov dhe tha se shërbimi rus i sigurisë kishte planifikuar të merrte në pyetje punonjësit e ambasadës që kishin qenë në kontakt me të.

    Kur ai u arrestua në maj, Departamenti i Shtetit tha se rasti vinte në dukje “përdorimin e hapur të ligjeve gjithnjë e më shtypëse” nga Rusia kundër qytetarëve të saj dhe se akuzat kundër zotit Shonov ishin “krejtësisht të pabaza”./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!