×
  • Lajme
  • Botë

    Rusia i shpeshton sulmet në Ukrainë

    Reporteri
    13 Shkurt 2024 | 20:37

    Rusia i ka shpeshtuar sulmet në disa rajone të Ukrainës të martën, duke i vrarë së paku tre njerëz dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturën e energjisë, thanë zyrtarët ukrainas.

    Një burrë 64-vjeçar u vra nga bombardimet ruse në qytetin jugor, Nikopol, mëngjesin e së martës, tha Serhiy Lyask, guvernatori i rajonit Dnipropetrovsk, duke shtuar se u dëmtua edhe një shtëpi private.

    Në rajonin jugor Herson, një burrë 83-vjeçar u vra nga bombardimet mbi fshatin Leviv mëngjesin e së martës, tha guvernatori rajonal Oleksandr Prokudin. Ai shtoi se dy civilë u plagosën në këtë rajon nga sulmet e djeshme.

    Disa njerëz u plagosën nga bombardimet ruse në rajonet Zaporizhja dhe Donjeck, thanë autoritetet.

    Të martën, Rusia kreu sulme me dronë në rajonin Dnipropetrovsk për ditën e dytë radhazi, duke e shënjestëruar infrastrukturën e energjisë, tha Lysak.

    “Mbrojtja jonë i rrëzoi 10 dronë mbi qytetin Dnipro”, shkroi Lysak në Telegram.

    “Por objektet e energjisë u goditën disa herë në këtë qytet, dhe si pasojë shpërtheu një zjarr”, shtoi ai.

    Kompania më e madhe energjetike e Ukrainës, DTEK, tha se termocentralet pësuan dëme të mëdha gjatë sulmeve, por nuk ka viktima.

    Kryetari i Dnipro, Borys Filatov, tha se shkollat u mbyllën në një lagje dhe se një spital u evakuua para një moti të ftohtë që pritet ta godasë këtë pjesë, i cili do ta rriste trysninë ndaj rrjetit elektrik.

    Me gati një milion banorë, Dnipro është qyteti i katërt më i madh i Ukrainës.

    Lysak tha se punëtorët e kanë kthyer furnizimin me rrymë në qytezën e vogël Pavlohard, në jug të Dnipros, e cila ishte sulmuar nga dronët rusë një ditë më parë.

    Mbrojtja Ajrore e Ukrainës tha se i ka rrëzuar 16 nga 23 dronët me të cilët Rusia i sulmoi të martën rajonet Dnipropetrovsk, Zaporizhja dhe Herson./REL

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!