Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka njoftuar sot se ka marrë postin e ushtruesit të detyrës të administratorit të Agjencisë të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), shkruan CNN, përcjell Reporteri.net.
Deklarata e tij vjen disa orë pasi Elon Musk tha se Presidenti Donald Trump kishte nënshkruar mbylljen e agjencisë.
Rubio ka deklaruar se ka shumë funksione të USAID-it “që do të vazhdojnë” dhe ato, sipas tij, do të jenë pjesë e politikës së jashtme amerikane, por “duhet të jenë në linjë me politikën e jashtme amerikane”.
“Kjo nuk ka të bëjë me përfundimin e programeve që USAID bën”, tha ai. “Ka gjëra që bën që janë të mira dhe ka gjëra që i bën për të cilat ne kemi pyetje të forta.”
“E kam thënë shumë qartë gjatë seancave dëgjimore për konfirmimin tim se çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që financojmë, ai program do të jetë në linjë me interesat kombëtare të SHBA-së. USAID-i ka një histori të injorimit të kësaj dhe ka vendosur që, disi është një organizatë bamirëse globale, e ndarë nga interesat kombëtare. Këto janë para të taksapaguesve”, deklaroi Rubio.
Ndryshe, Zyra kryesore e Agjencisë së SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) në Washington u mbyll papritur të hënën, dhe punonjësit u njoftuan me e-mail pak pas mesnatës që të mos paraqiteshin në punë, sipas disa burimeve që njohin çështjen.
Logot e USAID dhe fotot që tregonin punën humanitare të agjencisë në mbarë botën u hoqën nga zyrat e saj javën e kaluar, sipas burimeve të ndryshme.
Punonjësit e USAID marrin e-mail: Mos dilni në punë, zyra u mbyll