×
  • Lajme
  • Botë

    Sekretari Hegseth: SHBA synon zgjidhje diplomatike për paqe të qëndrueshme në Ukrainë

    Reporteri
    13 Shkurt 2025 | 20:01

    Në fund të vizitës së tij në NATO, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth tha se Shtetet e Bashkuara synojnë një zgjidhje diplomatike e paqësore të luftës në Ukrainë, që mundëson një paqe të qëndrueshme.

    Në një konferencë shtypi në selinë e NATO-s në Bruksel, Sekretari Hegseth hodhi poshtë kritikat ndaj strategjisë negociuese të Uashingtonit me Rusinë mbi luftën në Ukrainë dhe paralajmëroi Evropën që të mos i shfrytëzojnë Shtetet e Bashkuara duke i bërë përgjegjëse për mbrojtjen e saj.

    Ai tha se aleatët evropian duhet të marrin përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e Evropës.

    Hegseth po ashtu mbrojti komentet e bëra një ditë më parë rreth kufijve të Ukrainës, duke thënë se ato nuk janë lëshime ndaj Rusisë, por vetëm njohje e realitetit në terren.

    Një ditë më herët, Sekretari Hegseth tha se anëtarësimi i Ukrainës në NATO nuk është realist dhe sugjeroi se Kievi duhet të hiqte dorë nga shpresat se do t’i kthejë të gjithë territorin e saj nga Rusia dhe se në vend të kësaj duhet të përgatitet për një marrëveshje paqeje të negociuar, zbatimi i së cilës do të mbështetet nga forcat ndërkombëtare.

    Sekretari Hegseth po ashtu deklaroi se është e drejtë të thuhet se fondet për Ukrainën në të ardhmen do të jenë pjesë e negociatave.

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte deklaroi se është e rëndësishme që Presidenti rus Vladimir Putin e kupton që Perëndimi është “i bashkuar” ndërkohë që fillojnë bisedimet për t’i dhënë fund luftës me Ukrainën.

    “Natyrisht, nuk e di se çfarë saktësisht po mendon Presidenti Putin”, deklaroi Rutte. “Ai është negociator i fuqishëm, është shumë i paparashikueshëm, porn ë fund nëse duam një marrëveshje paqësore atëherë ai na duhet aty”.

    Ai shtoi se Ukraina do të jetë e përfshirë në çdo formë në një marrëveshje paqeje.

    Sekretari Rutte po ashtu tha se udhëheqësit kurrë nuk i kishin premtuar Ukrainës se do të bëhej anëtare e NATO-s nëse arrin një marrëveshje paqeje me Rusinë.

    “Duhet të sigurohemi se Vladimir Putin kurrë nuk do të përpiqet që të sulmojë sërish Ukrainën, kjo është thelbësore… por Ukrainës kurrë nuk i është premtuar që pjesë e marrëveshjes paqësore do të jetë pjesë e NATO-s”, deklaroi Sekretari Rutte./VOA/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!