×
  • Lajme
  • Botë / 7 maj

    Sekreti i madh i konklavës – çfarë do të hanë ata që duan të bëhen Papë?

    Reporteri
    02 Maj 2025 | 8:14

    Për më shumë se 750 vjet, janë zbatuar rregulla strikte që kufizojnë ushqimin që kardinalët mund të konsumojnë, për të parandaluar dërgimin e mesazheve të fshehura përmes ushqimeve.

    Kur konklavi papnor të fillojë më 7 maj, me 135 kardinalë që do të votojnë për një Papë të ri, ata do të jenë tërësisht të izoluar nga bota e jashtme për një periudhë të pacaktuar.

    Gjatë kësaj kohe, të gjithë aktivitetet si votimi, ngrënia dhe fjetja do të ndodhin nën një mbikëqyrje të rreptë.

    Konklavat janë të njohura për sekretin e thellë që mbajnë. Kardinalët janë të izoluar në një hapësirë të përbashkët, ku hyrja dhe dalja e mesazheve është e ndaluar, përveç se përmes tymit që tregon për suksesin ose dështimin e votimit, shkruan BBC.

    Tymi i bardhë sinjalizon zgjedhjen e Papës, ndërsa tymi i zi tregon se një votë tjetër është e nevojshme për të arritur shumicën e kërkuar. Edhe pse detajet e asaj që ndodh gjatë konklavit mbeten të fshehta, një gjë është e sigurt: kardinalët duhet të hanë gjatë procesit të zgjedhjes së Papës, që mund të zgjasë ditë ose javë.

    Por si sigurohet sekreti i procesit, duke pasur parasysh furnizimet që hyjnë dhe dalin? Si mund të ruhet integriteti i votave nga ndikimet e jashtme?

    Ushqimi ka qenë gjithmonë një rrezik potencial, pasi një kardinal mund të marrë mesazhe të paligjshme përmes ushqimit, ose mund të dërgojë informacione për votimet me ndihmën e një pecete.

    Megjithatë, ngrënia e përbashkët gjithashtu mund të jetë një mundësi për zhvillimin e negociatave të fshehta.

    Për konklavin që do të fillojë më 7 maj, murgeshat në Domus Sanctae Marthae, rezidenca ku qëndrojnë kardinalët gjatë izolimit, do të përgatisin ushqime të thjeshta, si supë, shpageta, mish qingji dhe perime të ziera.

    Ndërkohë që shqetësimet për mesazhet e fshehura nëpërmjet ushqimeve janë zbehur, shqetësimi aktual është përdorimi i pajisjeve elektronike për komunikim të paligjshëm, një çështje që shpesh paraqitet në filma.

    Për këtë arsye, Vatikani po bën kontrolle të rrepta për pajisje elektronike të fshehura, ndërkohë që kardinalët po bëjnë përgatitjet e fundit për të shijuar disa pjata të preferuara, duke menduar nëse kjo mund të jetë darka e fundit para se të kurorëzohen Papë./Telegrafi

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!