Dhëndri i Donald Trumpit, Jared Kushner ka marrë lejen për ndërtimin e hotelit në vlerë prej 500 milionë dollarëve në ish-kompleksin e ministrisë së mbrojtjes në Beograd.
Marrëveshja, e konfirmuar nga qeveria e Serbisë, do ta shndërrojë kompleksin e bombarduar nga NATO-ja në hotel luksoz.
Goran Vesiq, ministër i transportit dhe infrastrukturës në Serbi, ka deklaruar të mërkurën se ka vendosur për “një kompani amerikane me reputacion”, duke iu referuar Affinity Partners në pronësi të Kushner.
“Do ta restaurojmë ndërtesën 25 vjet pasi u shkatërrua nga bombardimet. Për një çerekshekulli, askush, para kësaj qeverie, nuk mendoi ta rinovonte kompleksin. Kur të rivitalizohet do të zhvillojë Beogradin dhe Serbinë, ka thënë Vesiq.
“Progresi ekonomik në Serbi në dhjetë vjetët e fundit ka qenë i mahnitshëm”, ka deklaruar Kushner për New York Tines.
Praktikat biznesore të Kushnerit janë vënë në dyshim qëkur vjehrri i tij shfaqi ambiciet për t’u kthyer në postin e presidentit.
Kushner themeloi kompaninë pasi la rolin e tij në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2021. Qeveria e Arabisë Saudite është financuesja më e madhe e kompanisë së Kushnerit. Kjo kompani mund të përbëjë konflikt interesi nëse Trumpi kthehet në Shtëpinë e Bardhë, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Kushner ka thënë se nuk e ka në plan të kthehet në Shtëpinë e Bardhë, prandaj nuk mund të përbëjë konflikt interesi.
Në muajin mars, demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë bërë thirrje që të nisin hetimet ndaj marrëveshjeve të Kushnerit, duke përmendur ndikimin e huaj që mund të përbëjë kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së.
Jared Kushner, dhëndri i ish-presidentit Donald Trump dhe një figurë e njohur e politikës amerikane, ia kanë mësyrë Ballkanit me plane për zhvillimin e tri pronave nëpër Shqipëri dhe Serbi.
Mediumi i njohur amerikan “New York Post” shkruan se përfshirja e Kushnerit në Ballkan po bëhet teksa kompania e tij e kapitalit privat “Affinity Partners” është angazhuar në diskutime të avancuara për investime që tejkalojnë 1 miliard dollarë, me shpresën për të forcuar peizazhin e turizmit dhe pasurive të paluajtshme në Evropën Lindore, transmeton gazeta online Reporteri.net.
Ndër projektet ambicioze është shndërrimi i ishullit të Sazanit, dikur bazë ushtarake në kohën e regjimit të Enver Hoxhës, në komunitet luksoz eko-resort të brendit Aman.