×
  • Lajme
  • Botë

    SHBA, 10 milionë më pak vende pune sesa ç’kishte para pandemisë

    Reporteri
    05 Dhjetor 2020 | 8:09

    Shtetet e Bashkuara shtuan 245,000 vende të reja pune në nëntor, shifra më e ulët që nga prilli dhe treguesi i fundit se punësimi është ngadalësuar ndjeshëm gjatë një shpërthimi të ri të koronavirusit në vend.


    Departamenti i Punës njoftoi të premten se niveli i papunësisë në nëntor u përmirësua në 6.7% nga 6.9% që ishte në tetor.

    Vendet e reja të punës në nëntor ishin shumë më pak nga 610,000 të shtuara në tetor dhe për të pestin muaj me rradhë rritja e punësimit është ngadalësuar në Shtetet e Bashkuara.

    Raporti i së premtes pasqyron ngurrimin ose pamundësinë e dukshme të punëdhënësve për të punësuar njerëz pasi një valë tjetër e infeksioneve të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara ka vendosur rekorde të reja ditore, duke i detyruar ata të mbyllin përsëri bizneset e tyre.

    Në SHBA tani ka rreth 10 milionë më pak vende pune sesa ç’kishte para pandemisë.

    Punësimi më i shpejtë i njerëzve që u pushuan nga puna gjatë recesionit të shkaktuar nga pandemia do t’i ndihmonte ata të ktheheshin përsëri në tregun e punës. Por ardhja e dimrit mund të dekurajojë shpenzimet dhe krijimin e vendeve të punës, veçanërisht në restorante dhe sektorë të tjerë që deri tani janë mbështetur më shumë në aktivitetin e biznesit të tyre në ambjentet e jashtme.

    Kongresi ka rinisur përpjekjet për të miratuar një paketë tjetër të ndihmës ekonomike për miliona të papunë në Shtetet e Bashkuara. Nëse ligjvënësit nuk arrijnë një marrëveshje ditët e ardhshme, të papunët do të mbeten pa ndihmë federale ose shtetërore pas Krishtlindjeve./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!