Shtetet e Bashkuara i kundërshtuan zyrtarisht pretendimet e Kinës për pronësinë mbi pjesën më të madhe të Detit të Kinës së Jugut.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se pretendimet e Kinës mbi territoret e Detit të Kinës së Jugut “janë plotësisht të paligjshme, ashtu si edhe fushata për kontrollimin e tyre”.
“Bota nuk do të lejojë që Pekini ta trajtojë Detin e Kinës së Jugut si perandorinë e tij detare. Amerika qëndron me aleatët dhe partnerët tanë të Azisë Juglindore, në mbrojtjen e të drejtave të tyre sovrane ndaj burimeve në det të hapur”, tha Pompeo.
Pekini u përgjigj, duke thënë se Shtetet e Bashkuara “i shtrembërojnë qëllimisht faktet dhe ligjin ndërkombëtar”.
Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar prej kohësh pretendimet territoriale të Kinës ndaj 90 për qind të Detit të Kinës së Jugut, që është një rrugë kryesore tregtare ndërkombëtare, e pasur me burime detare dhe energjetike.
Disa pjesë të Detit të Kinës së Jugut pretendohen nga Indonezia, Filipinet, Vietnami, Malajzia, Brunei dhe Tajvani.
Pekini ka forcuar pozitën e tij viteve të fundit, duke ndërtuar baza ushtarake dhe infrastrukturë tjetër në ujërat që shtrihen nga ishujt dhe shkëmbinjtë nënujorë.
Në përgjigje, Marina e Shteteve të Bashkuara vazhdimisht bën ushtrime ujore në Detin e Kinës së Jugut.
Është e paqartë se çfarë efekti praktik do të ketë deklarata e Pompeos, por ajo pritet t’i shtojë tensionet midis dy fuqive globale.
Marrëdhëniet midis dy ekonomive më të mëdha në botë janë tensionuar për shkak të trajtimit të pandemisë së koronavirusit, përkeqësimit të të drejtave dhe lirive në Hong Kong, mosmarrëveshjeve tregtare e të tjera./REL/
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.