×
  • Lajme
  • Botë

    SHBA-ja donte ta përfshinte Navalnyn në këmbimin e të burgosurve para se të vdiste në burg

    Reporteri
    02 Gusht 2024 | 10:26

    Këshilltari i sigurisë kombëtare i SHBA-së, Jake Sullivan, tha të enjten se Shtetet e Bashkuara kishin punuar për ta përfshirë liderin opozitar rus, Alexei Navalny, në këmbimin e të burgosurve, para se ai të vdiste në burg.

    Pak pasi Navanly vdiq, aleatët e tij thanë se Moska ishte përfshirë në bisedime me Perëndimin për një këmbim të të burgosurve ku do të përfshihej edhe politikani.

    Disa javë më vonë, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha gjithashtu se ishte i gatshëm ta lironte Navalnyn në një këmbim të burgosurish, me kusht që ai të mos kthehej kurrë më në Rusi.

    Sullivan, duke folur për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë pas njoftimit për lirimin e 16 të burgosurve nga burgjet e Rusisë dhe Bjellorusisë në këmbim të lirimit të tetë rusëve, tha se në kohën e vdekjes së Navalnyt, zyrtarët po bisedonin për një këmbim të mundshëm që do ta përfshinte Vadim Krasikovin.

    Krasikov, njëri nga tetë rusët e liruar në këmbimin e të burgosurve më 1 gusht, ishte dënuar për vrasjen e një ish-militanti çeçen në Berlin më 2019.

    Pasi Navalny vdiq në një burg në Arktik në rrethana të dyshimta më 16 shkurt, zyrtarët e lartë amerikanë bënë përpjekje edhe më të mëdha për ta nxitur Gjermaninë ta lirojë Krasikovin.

    Disa prej bashkëpunëtorëve të Navalnyt u liruan, përfshirë Lilia Chanysheva, Ksenia Fadeyeva, dhe Vadim Ostanin. Në këmbim u përfshi edhe politikani opozitar rus, Ilya Yashin, një kritik i madh i Kremlinit.

    Aleati më i ngushtë i Navalnyt, Leonid Volkov, tha se këmbimi historik i të burgosurve ndodhi shumë vonë për mikun e tij, raporton REL.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!