×
  • Lajme
  • Botë
    INSTANT

    ShBA-ja godet centralet bërthamore të Iranit

    Reporteri
    22 Qershor 2025 | 8:00

    Donald Trump tha se ShBA-ja ka përfunduar sulmet në tre centrale bërthamore në Iran, duke përfshirë Fordo, Natanz dhe Esfahan.

    “Ne kemi përfunduar sulmin tonë shumë të suksesshëm në tre centralet bërthamore në Iran, duke përfshirë Fordow, Natanz dhe Esfahan. Të gjithë aeroplanët tani janë jashtë hapësirës ajrore të Iranit”, shkroi ai në Truth Social.

    Trump shtoi se një “ngarkesë e plotë bombash” u hodh në Fordo dhe të gjithë aeroplanët ishin në rrugën e tyre për t’u kthyer në ShBA.

    CNN: ShBA-ja përdori bombarduesit B-2 ndaj Iranit, me të njëjtit sulmuan Serbinë gjatë luftës në Kosovë

    Reporteri
    22 Qershor 2025 | 10:53

    Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se në sulmet ndaj objekteve bërthamore të Iranit janë përdorur avionët bombardues B-2 të Forcave Ajrore të SHBA-së, përcjell Reporteri.net.

    B-2 Spirit është bombarduesi më modern dhe më i avancuar i Forcave Ajrore të SHBA-së.

    Me dizajnin e tij si “krah fluturues”, ndërtimin me materiale kompozite dhe veshjen speciale që e bën të padukshëm për radarët, “B-2 sjell një fuqi shkatërruese të jashtëzakonshme në çdo cep të globit, brenda një kohe të shkurtër, duke kaluar përmes mbrojtjeve që dikur ishin të papërshkueshme,” thuhet në një dokument zyrtar të Forcave Ajrore.

    Bombarduesi me katër motorë mund të pajiset me armë bërthamore ose konvencionale, drejtohet nga një ekuipazh prej dy personash, ka një kapacitet ngarkese prej 18 tonë dhe një rreze të pakufizuar veprimi nëse furnizohet me karburant në ajër.

    CNN shkruan se “fluturimi i parë i B-2 u realizua në vitin 1989 dhe u përdor për herë të parë në luftë dhjetë vjet më vonë gjatë Operacionit “Allied Force” – ndërhyrja e udhëhequr nga NATO në krizën humanitare në Kosovë – duke fluturuar pa ndalesë nga baza e tyre në Missouri për të goditur objektiva serbe, sipas Forcave Ajrore.

    Më vonë, ata realizuan misione edhe më të gjata për të goditur objektiva në Afganistan në tetor të vitit 2001 gjatë ditëve të para të Operacionit “Enduring Freedom”.

    Së fundmi, B-2-tat kanë fluturuar nga baza e përbashkët amerikano-britanike në Diego Garcia në Oqeanin Indian për të sulmuar objektiva të Houthive në Jemen.

    Në inventarin e Forcave Ajrore të SHBA-së ndodhen vetëm 20 njësi të B-2, të gjitha të bazuara në bazën ajrore Whiteman në Missouri.

    Çdo njësi kushton rreth 2 miliardë dollarë sipas vlerësimeve aktuale.

    SHBA-ja përdori bombën GBU-57A/B Massive Ordnance Penetrator (MOP), e njohur si “shkatërruese bunkerësh”, në sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane të shtunën në mbrëmje sipas kohës lokale në SHBA, sipas dy burimeve të njohura me operacionin.

    MOP — një bombë prej 30,000 paundësh me 6,000 paund eksploziv — është “projektuar për të arritur dhe shkatërruar armët e shkatërrimit në masë të kundërshtarëve tanë që ndodhen në objekte shumë të mbrojtura,” sipas një fletë-informacioni të Forcave Ajrore të SHBA-së.

    B-2 është i vetmi aeroplan në inventarin e SHBA-së që mund të mbajë bombën GBU-57A/B.

    /Reporteri.net/

    BBC: Çmimet e naftës pritet të rriten pas sulmit të SHBA-së ndaj Iranit

    Reporteri
    22 Qershor 2025 | 10:36

    Çmimet globale të naftës pritet të rriten kur tregjet e energjisë të nisin tregtimin të hënën në mëngjes në Azi.

    “Sulmet e SHBA-së e kanë çuar konfliktin në një nivel të ri dhe shumëkush ka frikë se kjo vetëm do ta përkeqësojë më tej situatën,” thotë për BBC Dr. Carole Nakhle, drejtoreshë ekzekutive e kompanisë Crystol Energy.

    “Kjo frikë do të reflektohet në një ‘premium gjeopolitik’ më të lartë që i shtohet çmimeve të naftës – askush nuk e di saktësisht sa është ky premium, por si rregull, sa më e madhe të jetë frika, aq më i lartë është premiumi,” shton ajo.

    Nafta Brent e përfundoi javën tregtare të premten me një çmim prej 77.01 dollarësh për fuçi, pasi u rrit me pothuajse 20% gjatë muajit të fundit.

    Pavarësisht kësaj rritjeje, çmimet e naftës aktualisht janë ende më të ulëta sesa ishin në të njëjtën periudhë vitin e kaluar.

    Kostoja e naftës së papërpunuar ndikon në gjithçka – që nga çmimi për të mbushur makinën me karburant, deri tek çmimi i ushqimeve në supermarkete.

    /Reporteri.net/

    Mbretëria e Bashkuar nuk ishte e përfshirë në sulmet e ShBA-së ndaj Iranit

    Reporteri
    22 Qershor 2025 | 10:30

    Britania nuk ka qenë e përfshirë në sulmet e SHBA-së ndaj Iranit, deklaroi ministri britanik i Biznesit dhe Tregtisë, Jonathan Reynolds.

    Sipas tij, SHBA nuk ka bërë asnjë kërkesë ndaj Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur veprimin, përfshirë përdorimin e bazës britanike Diego Garcia në Oqeanin Indian.

    Ai shtoi se qeveria britanike ishte informuar paraprakisht për sulmet.

    /Reporteri.net/

    Trump paralajmëron Iranin: Çdo hakmarrje do të përballet me forcë shumë më të madhe

    Reporteri
    22 Qershor 2025 | 8:56

    Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar Iranin kundër çdo veprimi hakmarrës pas sulmeve ajrore amerikane ndaj tri centraleve bërthamore në territorin iranian, përcjell Reporteri.net.

    “Çdo hajmarrje nga Irani ndaj ShBA-së do të përballet me forcë shumë më të madhe se ajo që u pa sonte”, shkroi Trump në Truth Social.

    Kjo deklaratë vjen vetëm pak orë pasi avionët amerikanë bombarduan tre nga objektet më të rëndësishme të programit bërthamor të Iranit: Fordo, Natanz dhe Isfahan.

    Zyrtarë amerikanë thanë për mediat se sulmet kishin për qëllim “zbutjen e kërcënimit që përbën programi bërthamor iranian” dhe nuk synonin “ndryshimin e regjimit”.

    /Reporteri.net/

    Kryeministri britanik: ShBA-ja sulmoi Iranin për të zbutur kërcënimin e programit bërthamor

    Reporteri
    22 Qershor 2025 | 8:44

    Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, thotë se SHBA ka ndërmarrë veprime për të “zbutur” kërcënimin që paraqet programi bërthamor i Iranit, përcjell Reporteri.net.

    Në një deklaratë ai tha:

    “Programi bërthamor i Iranit është një kërcënim serioz për sigurinë ndërkombëtare. Iranit nuk duhet t’i lejohet kurrë të zhvillojë një armë bërthamore dhe SHBA ka ndërmarrë veprime për të zbutur këtë kërcënim.

    Situata në Lindjen e Mesme mbetet e paqëndrueshme dhe stabiliteti në rajon është prioritet. Ne i bëjmë thirrje Iranit të kthehet në tryezën e negociatave dhe të arrijë një zgjidhje diplomatike për t’i dhënë fund kësaj krize.”

    /Reporteri.net/

    Çfarë dihet për sulmet e SHBA-së ndaj centraleve bërthamore të Iranit?

    Reporteri
    22 Qershor 2025 | 8:38

    Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se avionët luftarakë amerikanë kanë bombarduar tre objekte bërthamore në Iran, duke shënuar një përshkallëzim të rëndësishëm të luftës së vazhdueshme mes Iranit dhe Izraelit.

    Ja çfarë dihet deri tani:

    • Një nga objektivat ishte Fordo – një impiant për pasurimin e uraniumit i fshehur në një shpat mali të largët, që ka rëndësi të madhe për ambiciet bërthamore të Iranit.
    • Dy objekte të tjera kyçe bërthamore – Natanz dhe Isfahan – gjithashtu janë goditur.
    • Zyrtarë izraelitë kanë deklaruar se kanë qenë në “bashkërendim të plotë” me SHBA-në për planifikimin e këtyre sulmeve.
    • Sipas zyrtarëve amerikanë që kanë folur për CBS News, Washingtoni ka kontaktuar Iranin përmes kanaleve diplomatike të shtunën, duke thënë se këto sulme ajrore janë të vetmet që kanë ndërmend të kryejnë dhe se “nuk ka plane për ndërrim regjimi”.

    • Ende nuk dihet shkalla e plotë e dëmeve në objektet e goditura – por sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), nuk ka pasur rritje të niveleve të rrezatimit jashtë objekteve.

    /BBC/Reporteri.net/

    Irani paralajmëron për “pasoja të përhershme” pas sulmeve të ShBA-së

    Reporteri
    22 Qershor 2025 | 8:08

    Ministri i Jashtëm i Iranit, Seyed Abbas Araghchi, dënon sulmet e SHBA-së si “të papranueshme” dhe thotë se Irani po mban të hapura “të gjitha opsionet për të mbrojtur sovranitetin e tij”.

    “Ngjarjet e mëngjesit të sotëm janë të papranueshme dhe do të kenë pasoja të përhershme. Çdo anëtar i Kombeve të Bashkuara duhet të alarmohet nga ky veprim jashtëzakonisht i rrezikshëm, i paligjshëm dhe kriminal,” shkruan ai në një postim në X.

    Araghchi shton se SHBA ka “kryer një shkelje të rëndë” të Kartës së OKB-së si anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!