×
  • Lajme
  • Botë

    SHBA-ja i kërkon Iranit të lirojë menjëherë cisternën e konfiskuar

    Reporteri
    18 Korrik 2019 | 20:02

    Irani duhet menjëherë të lirojë cisternën e konfiskuar në Ngushticën e Hormuzit dhe ekuipazhin e saj, tha një zyrtar i Departamentit të Shtetit në Shtetet e Bashkuara, raporton Reuters.


    “Irani duhet ta ndërpresë këtë aktivitet të paligjshëm dhe të lirojë menjëherë ekuipazhin dhe anijen e sekuestruar”, deklaroi ai.

    “Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqimisht sulmet e vazhdueshme nga ana e Gardës Revolucionare të Iranit dhe ndërhyrjen në kalimin e sigurt në ngushticën e Hormuzit”, tha zyrtari amerikan.

    Më herët Televizioni shtetëror iranian raportoi se Garda Revolucionare e ka konfiskuar një cisternë të huaj, më 14 korrik. Brenda transportuesit ishin 12 anëtarë të ekuipazhit.
    Sipas mediave iraniane, cisterna po transportonte lëndë djegëse nga kontrabandistët iranianë, tek klientët e huaj.

    Një shërbim online për përcjelljen e transportuesve të naftës i quajtur “TankerTrackers”, tha se cisterna kaloi në ujërat iraniane më 14 korrik.

    Shërbimi tha se cisterna ishte me flamur panamezë dhe në pronësi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

    SHBA-ja synon krijimin e një force ndërkombëtare në ujërat rreth Iranit dhe Jemenit
    Incidenti vjen në kohën e përshkallëzimit të raporteve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Iranit. Disa javë më parë, Irani rrëzoi një aeroplan pa pilot të SHBA-së, për të cilin tha se kishte hyrë në hapësirën ajrore të Iranit.

    Mirëpo, Shtetet e Bashkuara kundërshtuan këto pretendime dhe thanë se fluturakja ishte në hapësirën mbi ujërat ndërkombëtar.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte dhënë urdhërin për sulm ndaj Iranit, mirëpo e anuloi atë 10 minuta para së të ndodhte.

    Më pas, presidenti Trump kishte thënë se sulmi do të shkaktonte viktima, dhe nuk do të ishte në proporcion me rrëzimin e dronit nga ana e Iranit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!