Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në udhëtimin e tij të parë në Bruksel, është zotuar të rindërtojë dhe forcojë NATO-n dhe të konsultohet me aleatët për veprimet e ardhshme në Afganistan.
Blinken po merr pjesë në një takim të ministrave të jashtëm të NATO-s më 23-24 mars.
Ai do të zhvillojë bisedime me udhëheqësit e Bashkimit Evropian si pjesë e përpjekjeve të presidentit të SHBA-së, Joe Biden, për të riparuar raportet transatlantike.
“Unë kam ardhur këtu për të shprehur angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara (ndaj NATO-s)”, u tha Blinken gazetarëve, ndërsa u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Temat e diskutimit në samitin e ministrave të Jashtëm të NATO-s janë shqetësimet mbi Kinën dhe Rusinë, si dhe e ardhmja e misionit të aleancës perëndimore në Afghanistan, ku gjenden 9.600 ushtarë të saj.
Administrata e ish-presidentit amerikan, Donald Trump, vitin e kaluar arriti një marrëveshje me talibanët për të tërhequr trupat e huaja deri më 1 maj 2021.
I pyetur në lidhje me ndonjë tërheqje të mundshme nga Afganistani, Blinken tha se SHBA-ja ende është në rishikim të opsioneve dhe se do të konsultohet me aleatët për këtë proces.
“Ne kemi hyrë së bashku dhe kur të jetë koha e duhur, ne do të largohemi së bashku”, tha ai.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.