×
  • Lajme
  • Botë

    SHBA kërkon “lirimin pa kushte” të fitueses së Nobelit, Mohammadi

    Reporteri
    05 Dhjetor 2024 | 22:50

    Shtetet e Bashkuara i bën thirrje Iranit që të lirojë pa kushte laureaten e Çmimit Nobel për Paqe, Narges Mohammadi, pasi ajo u lejua që të lirohej përkohësisht nga burgu për shkaqe shëndetësore.

    Departamenti amerikan i Shtetit tha se Mohammadi nuk është dashur kurrë të burgosej.

    Situata e saj “vazhdon të jetë shumë shqetësuese sepse ajo pikë së pari nuk është dashur të burgosej fare”, tha për gazetarët zëdhënësi i DASH-it, Vedant Patel.

    “Përkeqësimi i situatës së saj shëndetësore është rezultat i drejtpërdrejtë i abuzimit që ajo ka përjetuar në duart e regjimit iranian. Ne sërish, siç kemi bërë në të kaluarën, kërkojmë lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të Nargesit dhe të burgosurve të tjerë politikë”, tha ai.

    Mohammadi, 52-vjeçare, ka qenë e burgosur që nga nëntori i vitit 2021, pasi ishte dënuar nën akuza që lidhen me avokimin e saj kundër veshjes së detyruar të hixhabit – shamisë së kokës – për gratë në Iran dhe kundërshtimit të saj për dënimin me vdekje që aplikohet në Iran.

    Pas lirimit, ajo publikoi menjëherë në rrjetet sociale një fotografi të Mahsa Amini, 22-vjeçarja iraniane që vdiq në shtator të vitit 2022, teksa ishte në paraburgim. Vdekja e saj nxiti protesta masive në Iran.

    Mohammadi është liruar për tri javë dhe mbështetësit e saj e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke e cilësuar si joadekuat.

    Mohammadi për dekada të tëra ka kërkuar respektimin e të drejtave të njeriut në Iran dhe ka qenë disa herë në burg në 20 vjetët e fundit. Ajo është dënuar pesë herë që nga marsi i vitit 2021 dhe aktualisht është duke vuajtur një dënim prej 12 vjetësh burgim, pasi është dënuar për “përhapje të propagandës” kundër Republikës Islamike.

    Për punën e saj për të drejtat e njeriut, ajo fitoi Çmimin Nobel për Paqe më 2023./REL/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!