×
  • Lajme
  • Botë / Universiteti

    SHBA, një gjykatë pezullon urdhrin e Trump për largimin e studentëve të huaj nga Harvardi

    Reporteri
    23 Maj 2025 | 22:15

    Një gjykatë federale amerikane të premten pezulloi përkohësisht një urdhër të administratës së Presidentit Donald Trump që kishte ndaluar Universitetin e Harvardit të regjistronte studentë të huaj.

    Urdhri u lëshua nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe vetëm të premten, Universiteti i Harvardit ngriti një padi duke kundërshtuar vendimin: ishte padia e dytë e ngritur nga universiteti kundër administratës Trump, pas asaj të ngritur në fund të prillit kundër bllokimit të fondeve të qeverisë.

    Në padinë e së premtes, Universiteti i Harvardit e quajti çregjistrimin e studentëve të huaj një “shkelje të hapur” të Kushtetutës së SHBA dhe disa ligjeve federale, duke thënë se vendimi do të ndikojë drejtpërdrejt në më shumë se 7,000 njerëz që aktualisht kanë viza për të studiuar në Harvard.

    Sipas gjykatës që pezulloi përkohësisht urdhrin e Trump, zbatimi i tij do të shkaktonte “dëm të menjëhershëm dhe të pariparueshëm” në Universitetin e Harvardit.

    Përplasja mes Trump dhe disa prej universiteteve më prestigjioze amerikane vazhdon prej disa muajsh, por që në fillim Harvardi ka qenë ai që i ka kundërshtuar më shumë kërkesat e tij.

    Administrata Trump, në veçanti, beson se universitetet nuk kanë bërë mjaftueshëm për të kundërshtuar incidentet antisemite që kanë ndodhur muajt e fundit gjatë protestave kundër luftës në Rripin e Gazës.

    Në padinë e së premtes, universiteti i quan veprimet e fundit të qeverisë “hakmarrje e qartë për vendimin e Harvardit për të ushtruar të drejtat e tij të Amendamentit të Parë”, të cilat garantojnë fjalën e lirë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!