×
  • Lajme
  • Botë

    SHBA sinjalizon zbutje në luftën tregtare me Kinën

    Reporteri
    06 Gusht 2019 | 21:54

    Shtëpia e Bardhë sinjalizoi se nuk po përpiqet të shkallëzojë më tej luftën tregtare me Pekinin.


    Komentet vijnë pas hapit, kryesisht simbolik, të ndërmarrë nga administrata e Presidentit Donald Trump për ta shpallur Kinën manipuluese të monedhës.

    “Ne kemi negociuar në mirëbesim dhe duam të vazhdojmë të negociojmë në mirëbesim me kinezët”, megjithë zhgënjimin me negociatorët e Kinës për të mos përmbushur premtimet e mëparshme dhe mungesën e përparimit, u tha gazetarëve të martën Larry Kudlow, drejtor i Këshillit Ekonomik Kombëtar.

    “Dera është e hapur për negociata shtesë,” tha zoti Kudlow.

    “Ne po planifikojmë që ekipi kinez të vijë këtu në shtator”, pasi raundi i fundit i bisedimeve javën e kaluar në Shanghai nuk arriti përparim.

    Nëse ka një marrëveshje ose përparim, tha ai, Presidenti Trump mund të rishqyrtojë disa nga veprimet që ka ndërmarrë, të tilla si heqja e tarifave të reja për produktet kineze.

    Zoti Kudlow paralajmëroi gjithashtu se nëse nuk arrihet përparim, një veprim i ri ndëshkues kundër Kinës mund të merret nga presidenti.

    “Presidenti po mbron ekonominë amerikane,” theksoi zoti Kudlow.

    Të martën në Twitter, Presidenti Trump premtoi mbrojtje të mëtejshme për sektorin bujqësor amerikan, i cili po përjeton një rënie blerjesh nga Kina.

    Presidenti Trump ka kanalizuar miliarda dollarë ndihma të qeverisë amerikane në favor të fermerëve, për të mbuluar të ardhurat e tyre të humbura. Ai përballet me rizgjedhje në vitin 2020, dhe shtetet ku ndodhen fermat e mëdha kanë qenë një bazë e mbështetjes për të.

    Tensioni tregtar SHBA-Kinë i ka trazuar tregjet globale të aksioneve.

    Zoti Kudlow pranoi se tregjet e aksioneve kanë qenë të paqëndrueshme, por shpjegoi se “këto gjëra shkojnë e vijnë”.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!