×
  • Lajme
  • Botë

    Shefi i diplomacisë europiane paralajmëron përkeqësim të marrëdhënieve të Unionit me Rusinë

    Reporteri
    16 Qershor 2021 | 19:40

    Shefi i diplomacisë europiane, Josep Borrell ka thënë ditën e sotme, teksa samiti bilateral mes SHBA-ve dhe Rusisë, se marrëdhëniet mes Brukselit dhe Moskës pritet që të përkeqësohen në të ardhmen e afërt.


    “Duhet të jemi realistë dhe të presim një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve me Rusinë. Politikat e Rusisë kanë qenë qëllimisht për të krijuar një spirale negative në marrëdhëniet tona. Për momentin, është e pritshme që marrëdhëniet me Moskën të shkojnë dhe më keq”- ka thënë Josep Borrell, i cili para pak muajsh u gjend mes një stuhie mediatike dhe politike pasi gjatë vizitës së tij në Moskë u superua nga Sergej Lavrov që akuzoi BE-në për hipokrizi dhe nuk lejoi shefin e diplomacisë europiane të bënte thirrje për lirimin e Navalny-t.

    Borrell gjatë deklaratës për shtyp nga Brukseli ka bërë thirrje që BE të “vazhdojë të luftojë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, kundër thyerjes së rregullave ndërkombëtare dhe në mbrojtje të vlerave demokratike”, çka sipas tij nuk mund të arrihet pa “kufizuar përpjekjet e Rusisë për të nënçmuar interesat europiane me fushata disinformimi dhe lufte kibernetike”.

    Deklarata e Borrell nuk u prit mirë nga diplomatët e tjerë në Bruksel, që me samitin që u zhvillua ditën e sotme në Gjenevë, presin që të krijohen mundësitë për heqjen e disa nga sanksioneve në mënyrë që të shtohet intensiteti i marrëdhënieve ekonomike dhe shkëmbimeve tregtare.

    Dy burime diplomatike për POLITICO EU, janë shprehur të zhgënjyer me qëndrimin “jo-diplomatik” të Borrell dhe dyshojnë se BE ka një plan serioz dhe afatgjatë për të ringritur urat e bashkëpunimit me Rusinë që mbetet një shtet potent ekonomik dhe me rëndësi të veçantë gjeo-strategjike dhe ushtarake.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!