×
  • Lajme
  • Botë

    Shefi i Pentagonit viziton Guantanamon ndërsa mbërrijnë më shumë të ndaluar

    Reporteri
    26 Shkurt 2025 | 15:05

    Shefi i Pentagonit, Pete Hegseth, vizitoi të martën bazën amerikane në Gjirin e Guantanamos për t’u informuar nga afër me përpjekjet amerikane për dëbimin e imigrantëve të ndaluar ndërsa shtohet numri i atyre që mbërrijnë atje.

    Një aeroplan me nëntë imigrantë, i nisur nga baza Fort Bliss e Teksasit, u ul në Gjirin e Guantanamos të martën në mesditë, i tha Zërit të Amerikës një zyrtar i mbrojtjes. Një zyrtar tjetër tha se ata konsiderohen si “të huaj të paligjshëm që paraqesin kërcënim të lartë” dhe u dërguan në qendrën e paraburgimit në Guantanamo. Një zyrtar i tretë tha se një fluturim tjetër me imigrantë të paligjshëm ishte planifikuar për të mërkurën.

    Të gjithë zyrtarët folën me Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti pasi nuk ishin autorizuar të diskutonin mbi operacionet e dëbimit. Të dielën në këtë qendër u dërguan 17 të ndaluar të tjerë nga baza Fort Bliss e Teksasit.

    Departamenti i Sigurisë Kombëtare, i cili drejton përpjekjet e dëbimit, si dhe agjencia e imigracionit për zbatimin e ligjit, ICE, nuk i janë përgjigjur pyetjeve lidhur me identitetin e të ndaluarve, vendet e tyre të origjinës apo krimet për të cilat akuzohen.

    Fluturimi i së martës është i dyti që kur ICE dëboi të enjten 177 të ndaluar që ishin dërguar në Gjirin e Guantanamos në fillim të muajit.

    Zyrtarët thanë se më shumë se 120 prej tyre ishin kriminelë të rrezikshëm, mes tyre pjesëtarë të organizatës kriminale Tren de Aragua të Venezuelës, e cilësuar nga Shtetet e Bashkuara si organizatë e huaj terroriste. Rreth 50 të tjerë ishin mbajtur në objektin për emigrantët që strehon individë që nuk kanë kryer dhunë.

    Sekretari Hegseth postoi në rrjetin X foto nga vizita e tij në bazën e Guantanamos, duke shprehur vlerësime për trupat amerikane në mbështetje të përpjekjeve për dëbimin e imigrantëve të paligjshëm.

    “Këta luftëtarë po mbështesin drejtpërdrejt ndalimin dhe dëbimin e të huajve të paligjshëm të rrezikshëm”, shkroi ai në rrjetin X. “Nuk mund t’i falënderojmë aq sa duhet ata ose familjet e tyre”.

    Shefi i Komandës Jugore të Shteteve të Bashkuara, i cili mbikëqyr operacionet në bazën detare në Gjirin e Guantanamos, u tha ligjvënësve në fillim të këtij muaji se objekti i bazës kishte kapacitetet për të strehuar rreth 2,500 të burgosur që nuk kanë kryer dhunë. Ndërkohë në bazë vazhdojnë përpjekjet për të zgjeruar kapacitetet e strehimit për rreth 30,000 imigrantë të paligjshëm që do të dëbohen.

    Përpjekjet amerikane për dëbimin e imigrantëve të paligjshëm kanë shkaktuar kritika nga grupet e të drejtave të imigracionit.

    Në fillim të këtij muaji, Unioni Amerikan i Lirive Civile dhe disa organizata të tjera ngritën një padi kundër Departamentit të Sigurisë Kombëtare me pretendimet se të ndaluarve në burgun e Guantanamos që do të dëbohen, iu ishte mohuar në mënyrë të parregullt qasja tek avokatët. Departamenti i Sigurisë Kombëtare i ka hedhur poshtë pretendimet e padisë./VOA

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!