Guardia Di Finanza ka shkatërruar një grup kriminal të trafikimit të drogës në Treno, Itali.
Operacion ndërkombëtar i koduar “Besa 2018” është zhvilluar nga policia italiane, në bashkëpunim me policinë shqiptare, hungareze dhe atë turke, ku janë arrestuar 12 persona në flagrancë, prej të cilëve 8 shqiptarë, 2 tunizianë, 1 zviceran e 1 italian, ndërkohë që 6 të tjerë, 4 italianë dhe 2 shqiptarë janë hetuar në gjendje të lirë.
Në fund të operacionit janë ekzekutuar 25 urdhra arresti ndaj një grupi kriminal që operonte në provincën e Bolcanos dhe në rajonin e Venetos.
Ndërkohë, në Shqipëri, operacioni u drejtua nga Drejtoria Hetimore Qendrore, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në PSH dhe DVP Vlorë.
Gjatë operacionit në Vlorë janë ushtruar disa kontrolle banesash dhe është ekzekutuar në ambientet e burgut, urdhri i ndalimit për shtetasin E. K, i cili ishte arrestuar në dhjetor 2019, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Operacioni i koduar “Besa 2018” ka filluar në vitin 2018 dhe është përmbyllur me arrestimin e 22 subjekteve në Itali dhe 3 jashtë saj.
Policitë homologe në Shqipëri, Hungari dhe Turqi kanë bashkëpunuar për zbardhjen e skemës së funksionimit të grupit kriminal.