Një studim i fundit ka zbuluar se inteligjenca artificiale mund të jetë po aq bindëse sa njerëzit në debate, nëse jo më shumë. Ekspertët paralajmërojnë se kjo prirje mund të ketë pasoja për integritetin e zgjedhjeve, duke e bërë më të lehtë manipulimin e opinionit publik.
Sipas Francesco Salvi, autorit kryesor të studimit nga Instituti Federal Zviceran i Teknologjisë në Lozanë, AI bindëse mund të përdoret në shkallë të gjerë për të synuar votuesit e pavendosur, duke i ndikuar me narrativa politike të personalizuara.
“Kjo formë ndikimi është e vështirë për t’u gjurmuar, edhe më e vështirë për t’u rregulluar dhe pothuajse e pamundur për t’u demaskuar në kohë reale,” citon “The Guardian” të ketë thënë ai.
Por studiuesit theksuan se AI bindëse nuk është domosdoshmërisht një rrezik, përcjell gazeta online Reporteri.net. Përdorimet e saj mund të ndihmojnë në reduktimin e polarizimit politik, teorive konspirative dhe promovimin e zakoneve të shëndetshme.
Eksperimenti, i publikuar në revistën Nature Human Behaviour, përfshiu 600 pjesëmarrës që u përballën me kundërshtarë njerëzorë dhe AI (Chat GPT-4). Tema e debateve përfshinte çështje si uniformat shkollore dhe aborti. Rezultatet treguan se AI ishte po aq e aftë sa njerëzit për të bindur të tjerët, por kur kishte qasje në informacione personale, efektiviteti i saj rritej ndjeshëm.
Profesor Sander van der Linden nga Universiteti i Kembrixhit tha se ky studim rihap shqetësimin për manipulimin masiv të opinionit publik, shkruan gazeta online Reporteri.net. Ndërkohë, profesori Michael Wooldridge nga Universiteti i Oksfordit paralajmëroi për rreziqet që mund të vijnë, si radikalizimi i të rinjve nga grupe ekstremiste.
“Teksa AI zhvillohet, abuzimet me këtë teknologji do të shtohen. Ligjvënësit dhe rregullatorët duhet të jenë proaktivë për të parandaluar keqpërdorimin e saj” tha ai. /Reporteri.net/.