×
  • Lajme
  • Botë

    Shkon në 5 numri i të vdekurve nga sulmi në tregun e Krishtlindjes në Gjermani

    Reporteri
    21 Dhjetor 2024 | 13:00

    Numri i të vdekurve si pasojë e një sulmi me veturë në tregun e Krishtlindjes në qytetin gjerman Magdeburg, është rritur në pesë të shtunën, njoftoi guvernatori i landit.

    Guvernatori i landit të Saksoni-Anhaltit, Reiner Haseloff, tha se mbi 200 njerëz të tjerë janë lënduar, shumë prej tyre rëndë, kur një burrë saudit i shkeli qëllimshëm njerëzit me veturën e tij BMW në tregun e Krishtlindjes të premten mbrëma.

    Burri saudit është arrestuar dhe dërguar në mbajtje për t’u marrë në pyetje, si i dyshuar për shtypjen e njerëzve për këtë sulm.

    Policia nuk e ka komentuar të shtunën numrin e raportuar të viktimave. Të premten, zyrtarët vendës njoftuan se të paktën dy njerëz u vranë dhe paralajmëruan se numri i viktimave mund të rritet.

    Gazeta gjermane Bild raportoi se 41 njerëz u lënduan rëndë, 86 janë duke u mjekuar për lëndime të rënda dhe 78 të tjerë pësuan lëndime të lehta.

    Autoritetet gjermane po e hetojnë një mjek saudit, 50-vjeçar, i cili ka jetuar në Gjermani për gati dy dekada, si të dyshuar për shkeljen e njerëzve me veturë në këtë treg.

    Policia e bastisi banesën e tij gjatë natës.

    Nuk është e qartë se cilat kanë qenë motivet e tij dhe policia ende nuk e ka emëruar zyrtarisht të dyshuarin.

    Por, mediat gjermane e kanë identifikuar atë si Taleb A.

    Një burim saudit i tha Reuters se Arabia Saudite kishte paralajmëruar autoritetet gjermane për sulmuesin pasi ai kishte postuar qëndrime ekstremiste në llogarinë e tij personale në X, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë.

    Der Spiegel raportoi se i dyshuari kishte shprehur simpati për partinë e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD). Gazeta nuk e specifikoi burimin e informacionit.

    Gazeta FAZ e Gjermanisë raportoi se e kishte intervistuar të dyshuarin në vitin 2019, duke e përshkruar atë si një aktivist kundër islamit.

    “Njerëzit si unë, që kanë një të kaluar islame, por nuk janë më besimtarë, nuk përballen as me mirëkuptim e as me tolerancë nga myslimanët këtu”, citohet të ketë thënë ai.

    “Unë jam kritiku më i madh i islamit në histori. Nëse nuk më besoni, pyesni arabët”, kishte thënë ai.

    Kancelari gjerman Olaf Scholz mbërriti në Magdeburgun të shtunën paradite.

    Socialdemokratët e tij kanë ngelur mbrapa AfD-së dhe opozitës konservatore, e cila prin, në sondazhe para zgjedhjeve të parakohshme të 23 shkurtit.

    AfD-ja i ka udhëhequr thirrjet për luftimin e imigracionit në vend. /Radio Evropa e Lirë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!