Forcat palestineze lëshuan qindra raketa në drejtim të Izraelit, i cili kreu sulme ajrore në Rripin e Gazës. Të vdekurit po numërohen në të dy anët.
Përleshjet janë duke vazhduar edhe sot me të paktën 35 të vrarë në Gaza dhe pesë në Izrael, shkruajnë mediat e huaja, përcjell në shqip Gazeta Online “Reporteri.net”.
Forcat palestineze kanë konfirmuar se hodhën qindra raketa në Tel Aviv pas një sulmi ajror izraelit në Rripin e Gazës.
Një ndërtesë shumëkatëshe në Gaza u shemb dhe një tjetër u dëmtua rëndë pasi u godit disa herë në sulmet ajrore izraelite.
Izraeli tha se avionët e tij vranë disa udhëheqës të Hamasit këtë mëngjes, dhe se sulmet e tjera kishin për qëllim objektiva të tjerë ushtarakë të Hamasit.
Pas rritjes së numrit të sulmeve ndërkufitare të raketave palestineze, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu njoftoi se do të intensifikonte sulmet në Rripin e Gazës ku jetojnë palestinezët.
“Që nga dje, ushtria ka kryer qindra sulme ndaj Hamasit dhe Xhihadit Islamik në Gaza, dhe ne do t’i intensifikojmë sulmet tona edhe më shumë. Në fund të vlerësimit të situatës, u vendos që të rritet forca dhe numri i sulmeve”, tha Netanyahu në një video mesazh duke kërcënuar se “tani Hamasi do të marrë disa goditje që nuk i ka marrë kurrë”.
Tel Aviv. Tonight. pic.twitter.com/UK2tyCbqVB
— Amichai Stein (@AmichaiStein1) May 11, 2021
Ai i tha këto pasi dy gra u vranë në goditje direkte të raketave në dy shtëpi në qytetin izraelit Ashkelon. /Reporteri.net