Qindra protestues u mblodhën ditën e dielë në kryeqytetin Spanjoll, Madrid për të kundërshtuar përdorimin e detyrueshëm të maskave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Këto reagime të qytetarëve erdhën vetëm dy ditë pasi qeveria vendosi një sërë kufizimesh të reja, përfshirë edhe ndalimin e pirjes së duhanit në publik.
Spanja shënon një rritje të ndjeshme të numrit të infektuarëve që nga heqja e bllokimit të saj tre mujor në fund të qërshorit.
Në protestën e organizuar të dielën në kryeqytet, protestuesit kënduan himne për lirinë, kërkuan që maskat të përdoren në mënyrë vullnetare por edhe që ata të kenë të drejtën për të zgjedhur nëse duan të vaksinohen kundër kovidit-19 kur t’u propozohet një vaskinë.
Shumë prej tyre mohuan ekzistencën e koronavirusit dhe shpërthimin e vatrave të reja, dhe refuzuan t’i mbanin maskat edhe pse ishin paralajmëruar se mund të gjobiteshin.
“Ndodhem këtu sepse po na vendosin masa represive, po na heqin të gjitha të drejtat që kemi. Për mendimin tim, maskat duhet të ishin përdorur gjatë pandemisë, jo tani.”
“Po bëjnë ushtrime manovër për pandeminë, po na mohojnë shifrat e vërteta. Ajo shifra e vdekshmërisë me 0 presje disa për qind nuk ka kuptim.”
“Sikur kjo të jetë një pandemi dhe njerëzit të vdisin, dhe disa kanë vdekur, problemi duhet të ishte zgjidhur më parë dhe jo tani që merren masat e gabuara.”
Numri i vdekjeve është rritur në më shumë se 28.600 njerëz, ndërsa me qindra të infektuar të rinj shtohen përditë duke arritur në fundjavë shifrën 340 mijë, më e larta në Europë.
Epidemiologët tregojnë se në kontinent trendi në rritje i infeksionit mes popullatave vjen si pasojë e lehtësimit të masave kufizuese përgjatë stinës së verës.
Të hënën, në mbarë globin u rrit bilanci i viktimave nga kovidi i ri, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës që raportuan 170 mijë jetë të humbura në total dhe India 50 mijë viktima.
Epiqendra e pandemisë mbetet ende Amerika Latine ndërkohë që 21 milionë është totali i rasteve të konfirmuara në gjithë botën.