Partia Socialdemokrate (SPD) ka miratuar marrëveshjen e koalicionit qeverisës me bllokun CDU/CSU të Friedrich Merzit, duke i hapur rrugë formimit të Qeverisë së re gjermane javën e ardhshme.
Partia e qendrës së majtë tha më 30 prill se 84.4 për qind e anëtarëve të partisë kanë mbështetur marrëveshjen, pasi për dy javë kanë votuar online për të.
SPD do të bëhet partneri i vogël në koalicionin e ardhshëm qeverisës, ku do të bëjnë pjesë Unioni krisitandemokrat (CDU) i Merzit, dhe partia simotër Unioni krisitiansocial (CSU), që veçse kanë konfirmuar marrëveshjen për partneritet.
Marrëveshja do të nënshkruhet zyrtarisht të hënën, me Merzin që pritet të zgjidhet kancelar të martën, dy muaj e gjysmë pasi blloku i tij i qendrës së djathtë fitoi zgjedhjet parlamentare të shkurtit.
Sipas burimeve të Dpa-së, bashkëudhëheqësi i SPD-së, Lars Klingbeil, ka mbështetje unanime të partisë së tij që të bëhet zëvendëskancelar.
Së bashku, konservatorët dhe SPD-ja do të kenë një shumicë të ngushtë me 328 ulëse nga 630 ulëse në Bundestagun e ri, pavarësisht se këto parti së bashku kanë fituar më pak se 45 për qind të votave.
Qeveria e re do të përballet me probleme të mëdha, pasi ekonomia e vendit është përballur me dy vjet rresht recesion dhe ka pasur një rritje ekonomike prej vetëm 0.2 për qind në çerekun e parë të këtij viti.
Ndërkaq, Evropa si e tërë po varet shumë nga politika e re e Shteteve të Bashkuara, nën presidencën e Donald Trumpit.
Merz është zotuar se do të bëjë ndryshime në politikën ekonomike dhe të migracionit, që kanë qenë dy çështje që kanë dominuar fushatën zgjedhore, teksa rreziku nga Rusia do të vazhdojë të mbesë një shqetësim i madh në vitet në vijim./REL
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.