×
  • Lajme
  • Botë

    Suedia në vështirësi, shërbimet e reanimacionit nën tension

    Reporteri
    18 Dhjetor 2020 | 9:37

    Pavarësisht një ashpërsimi të kufizimeve nga autoritetet këto javët e fundit, Suedia dhe strategjia e saj atipike kundër koronavirusit janë vënë përsëri në vështirësi të mëdha nga një valë e dytë e frikshme që vendi nordik po përpiqet prej shumë kohësh ta shmangë.


    “Autoriteti i Shëndetit Publik kishte përgatitur tre skenare këtë verë. Kishim parashikuar më të keqen. Sidoqoftë, rezulton se është dy herë më keq nga sa u dyshua”, theksoi Lars Falk, një zyrtar i kujdesit intensiv në spitalin, Karolinska të Stokholmit, raporton ATSh.

    Shërbimet e reanimacionit janë nën tension, kërkesa për rritjen e personelit shëndetësor të kualifikuar në Stokholm, vdekshmëria deri në 10 herë më e lartë se fqinjët nordikë, këtë vjeshtë, strategjia suedeze, më pak e rreptë përballë epidemisë, përsërit bilancin shumë mediokër të pranverës.

    “Fatkeqësisht, niveli i kontaminimeve me COVID-19 nuk është ulur (…) dhe është shumë shqetësues”, konfirmoi drejtori shëndetësor i rajonit të Stokholmit, Björn Eriksson, duke përshkruar një presion ekstrem në sistemin shëndetësor.

    Pasi kishte kërkuar tashmë përforcim nga i gjithë personeli i kualifikuar shëndetësor, përfshirë klinikat private, ai urdhëroi dje anulimin e të gjitha operacioneve jo-urgjente në rajon.

    “Tani mjafton”, ishte shprehur ai javën e kaluar. “Nuk ia vlen të pini një pije pas punës, të takoni njerëz jashtë shtëpisë tuaj, të bëni pazar për Krishtlindje ose të pini një kafe: pasojat janë të tmerrshme”.

    Në fillim të javës, shtrimet në spital lidhur me COVID-19 në Suedi u barazuan me pikun e 20 prillit, me rreth 1 400 pacientë të trajtuar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!