Suedia ka ndaluar grumbullimet të më shumë se pesë personave në një tubim. Këto vendime kanë ardhur nga autoritetet qeveritare, ku thuhet se kjo masë është ndërmarrë me qëllim të ndalimit të përhapjes së koronavirusit.
Mediat e huaja shkruajnë se ky kufizim i ri është pjesë e Ligjit për Rendin Publik dhe për këtë arsye, ky është një ligj, jo rekomandim si shumë nga masat e ndërmarra.
Qytetarët që shkelin ndalimin dhe organizojnë ngjarje me mbi tetë persona të ftuar, mund të përballen me gjoba ose dënim me burg deri në gjashtë muaj.
Ndryshimi i ligjit do të hyjë në fuqi më 24 nëntor dhe do të fillojë zbatimin për katër javë, shkruan The Local.
“Situata do të përkeqësohet. Kryeni detyrën tuaj dhe merrni përgjegjësi për të ndaluar përhapjen e virusit. Po e them përsëri: Do të përkeqësohet”, ka deklaruar kryeministri Stefan Löfven.
Masat ndaluese në Suedi për pjesëmarrësit në tubime publike ishin ulur në 50 persona në mars dhe ishte rritur në 300 në fund të tetorit. Megjithatë, disa rajone zgjodhën të mbanin kufirin e poshtëm me 50 persona në tubime.
Ndalimi i ndërmarrë do të zbatohet në ngjarje publike si: koncerte, shfaqje dhe ndeshje sportive, por jo edhe në shkolla ose vende pune.
Kujtojmë se në mars kur edhe filloi përhapja e madhe e pandemisë, ndërkohë që shtetet anëtare të Bashkimit Evropian miratuan masa të ashpra të karantinës për të luftuar pandeminë me koronavirus, duke përfshirë edhe mbylljen e kufijve kombëtarë, mbylljen e shumë bizneseve dhe prezantimin e masave strikte për distancim shoqëror, Suedia veproi krejt ndryshe, shkruan Reporteri.net.
Atje, fëmijët deri në moshën 16-vjeçare kanë vazhduar të shkojnë në shkollë. Dyqanet, restorantet dhe kafiteritë mbetën të hapura, ani pse nuk lejohej që konsumatorët t’i bënin porositë në banak, por vetëm të shërbeheshin në tavolinë.
Madje, nëpër rrugë ishte e vështirë të shihje dikë duke mbajtur maskë mbrojtëse.
Rekomandimi më i ashpër nga Qeveria suedeze ishte që qytetarët t’i shmangnin udhëtimet jo të domosodshme dhe u kishin nisur këshillë shoqërore personave mbi 70-vjeç që të qëndrojnë në shtëpi.