Të paktën tetë persona janë plagosur pasi një burrë hodhi kokteje Molotov dhe përdori një flakëhedhës të improvizuar gjatë një tubimi në mbështetje të pengjeve izraelite në qytetin Boulder të Kolorados, në SHBA.
Ngjarja ndodhi në Qendrën Tregtare “Pearl Street”, një zonë e njohur për këmbësorë në ajër të hapur, rreth 48 kilometra nga Denveri. Policia bëri të ditur se viktimat janë të moshës 52 deri në 88 vjeç.
Sipas autoriteteve, sulmuesi bërtiste “Palestina e lirë” ndërsa u hodhi koktejet Molotov pjesëmarrësve të tubimit, i organizuar nga grupi pro-izraelit “Run for Their Lives”, i cili mban aktivitete të rregullta në mbështetje të pengjeve izraelite në Gaza.
Pamje nga vendngjarja tregojnë një burrë pa bluzë, që mban dy shishe me leckë ndezëse dhe i afrohet turmës, ndërsa në sfond dëgjohen britma dhe shihet tym.
Disa njerëz ndihmojnë një grua të plagosur përtokë, ndërsa policia ndërhyn dhe arreston të dyshuarin, i cili më pas u dërgua në spital me lëndime.
FBI e cilësoi incidentin si një akt të dyshuar terrorist. I dyshuari është identifikuar si Mohamed Sabry Soliman, 45 vjeç, shtetas egjiptian.
Sipas raportimeve, ai kishte hyrë në SHBA në vitin 2022 me një vizë jo-imigruese që kishte skaduar në shkurt të vitit 2023 dhe kishte jetuar në Colorado Springs.
Prokurori i Përgjithshëm i Kolorados, Phil Weiser, tha se ngjarja ka të gjitha elementet e një krimi urrejtjeje: “Çdokush mund të ketë mendime të ndryshme për konfliktin në Lindjen e Mesme, por dhuna nuk është kurrë zgjidhje”.
Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar, reagoi duke e quajtur incidentin “antisemitizëm të pastër” dhe shprehu tronditjen për këtë akt të dhunshëm.
Ky është sulmi i dytë me prapavijë politike në SHBA brenda dy javësh, pas vrasjes së dy punonjësve të ambasadës izraelite në Uashington nga një person që bërtiste “Palestina e lirë”./BBC