Katër oficerë raportohen të vdekur pas një sulmi me thikë në selinë e policisë në Paris.
Sulmuesi, i cili nuk është identifikuar ende raportohet se ishte anëtar i stafit dhe u qëllua për vdekje, shkruan BBC.
Ai po përpiqej të hynte në ndërtesë kur u ndalua nga ofierët e tjerë. Raportohet se disa persona kanë mbetur të plagosur.
Deri më tani nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga policia franceze për ngjarjen e rëndë.
Sulmi ndodhi rreth orës lokale 13:00 në oborrin e ndërtesës së policisë, e cila ndodhet afër katedrales së Notre-Dame.
Një stacion metroje pranë selisë së policisë është mbyllur për arsye sigurie, njoftoi autoriteti i transportit të qytetit pas sulmit.
Kryeministri francez, Edouard Philippe dhe Ministri i Brendshëm, Christophe Castaner ndodhen në vendin e ngjarjes.
Kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo konfirmoi në Twitter se disa njerëz u vranë në sulm.
Sipas mediave franceze, sulmuesi ishte një 45 vjeç, i cili ka punuar për forcën e policisë në Paris për 20 vjet.
Sulmi vjen një ditë pasi policia franceze hyri në grevë në të gjithë vendin për rritjen e dhunës ndaj oficerëve dhe niveleve të vetëvrasjeve brenda forcave të policisë.