Tetë policë egjiptianë janë vrarë gjatë një sulmi të militantëve në një pikë kontrolli në gadishullin verior të Sinait. Lajmin e bëri të ditur Ministria e Brendshme e Egjiptit.
Në deklaratën e kësaj ministrie thuhet se në këtë sulm u vranë edhe pesë militantë gjatë shkëmbimit të zjarrit me forcat e sigurisë, ndërsa sulmuesit tjerë ia dolën të ikin dhe janë duke u kërkuar nga organet e sigurisë.
Sulmi ndodhi në pjesën perëndimore të qytetit El-Arish në kohën kur banorët e tij po e festonin festën e Fitër Bajramit.
Egjipti është përballur për një kohë të gjatë me grupet e armatosura në Sinai. Një grup i Shtetit Islamik ka vrarë qindra anëtarë të forcave të sigurisë që nga rrëzimi i ish-presidentit Mohammed Morsi në vitin 2013, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.
Në shkurt të vitit 2018, tre muaj pas vrasjes së 300 besimtarëve nga militantët në një xhami të Sinait, ushtria e Egjiptit nisi një fushatë të gjerë për luftimin e terroristëve. Që prej asaj kohe, autoritetet kanë njoftuar për vdekjen e më shumë se 650 militantëve dhe 50 ushtarëve.
Përndryshe, javën e kaluar, organizata “Humans Rights Watch” e akuzoi ushtrinë e Egjiptit për tortura serioze ndaj civilëve në Sinain verior, disa prej të cilave mund të cilësohen edhe si krime lufte.
Reporteri.net është gazetë online e lajmeve nga vendi dhe bota. Qëllim kryesor ka informimin e drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë. Reporteri.net, në pronësi të “R Media L.L.C.”, është themeluar në mars të vitit 2019 dhe drejtohet nga gazetarët Bekim Kabashi dhe Mentor Gjergjaj.
E-Mail: info@reporteri.net
Marketing: marketing@reporteri.net
Adresa: Rr. UÇK, Nr. 102/11 10000 Prishtinë, Kosovë
© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.