×
  • Lajme
  • Botë / Botë

    Të paktën 1,301 njerëz vdiqën gjatë haxhillëkut në Mekë

    Reporteri
    24 Qershor 2024 | 8:30

    Të paktën 1,301 njerëz vdiqën gjatë haxhillëkut në Mekë, njoftoi Arabia Saudite, duke shtuar se ishin kryesisht pelegrinët e paautorizuar që ecnin distanca të gjata në vapë të fortë, shkroi BBC, transmeton gazeta online Reporteri.net.

    Pelegrinazhi i këtij viti u zhvillua gjatë një vale të të nxehtit, me temperatura që nganjëherë i kalonin 50 gradë celsius.

    Më shumë se tre të katërtat e atyre që vdiqën nuk kishin leje zyrtare për të qenë atje dhe ecnin nën rrezet e diellit direkte pa strehë adekuate, tha agjencia zyrtare saudite e lajmeve SPA.

    Disa nga ata që vdiqën ishin të moshuar ose kishi sëmundje kronike.

    Ministri i Shëndetësisë Fahd Al-Jalajel tha se janë bërë përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin për rreziqet nga i nxehti dhe se si pelegrinët mund ta luftojnë atë.

    Një zyrtar i kabinetit ka thënë se të paktën 630 egjiptianë të tjerë vdiqën gjatë pelegrinazhit, me shumicën e raportuar në Kompleksin e Urgjencës në lagjen Al-Muaisem të Mekës.

    Në deklaratën e saj, qeveria egjiptiane ka thënë se 16 agjencitë e udhëtimit nuk arritën të ofrojnë shërbime adekuate për pelegrinët. Sipas saj, këto agjenci lehtësuan në mënyrë të paligjshme udhëtimin e pelegrinëve në Arabinë Saudite. Qeveria ka bërë të ditur gjithashtu se zyrtarët e kompanive janë referuar te prokurori publik për hetime.

    Vdekjet përfshinin gjithashtu 165 pelegrinë nga Indonezia, 98 nga India dhe dhjetëra të tjerë nga Jordania, Tunizia, Maroku, Algjeria dhe Malajzia, sipas një raporti të Associated Press. Dy pelegrinë amerikanë u raportuan gjithashtu të vdekur.

    Arabia Saudite është kritikuar se nuk ka bërë më shumë për ta bërë Haxhin më të sigurt, veçanërisht për pelegrinët e paregjistruar të cilët nuk kanë akses në objekte të tilla si tendat me ajër të kondicionuar dhe transportin zyrtar të Haxhit.

    Haxhi është pelegrinazhi vjetor i muslimanëve në qytetin e shenjtë të Mekës. Të gjithë muslimanët që janë të aftë financiarisht dhe fizikisht duhet ta kryejnë pelegrinazhin të paktën një herë në jetën e tyre.

    Rreth 1.8 milionë njerëz morën pjesë këtë vit, tha Arabia Saudite./Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!