×
  • Lajme
  • Botë

    Testohet siguria e “Boing 737 Max”, pas aksidenteve avioni është tërhequr nga fluturimet

    Reporteri
    28 Qershor 2020 | 15:50

    Avioni tip “737 Maks” i kompanisë amerikane “Boing” synohet të rimarrë çertifikatën e sigurisë nga autoritetet e vendit. Pas aksidenteve fatale të dy viteve të kaluara, mjeti fluturues është tërhequr nga kompanitë ajrore deri në adresimin e problemeve teknike.


    Autoritetet amerikane dhe gjiganti i aviacionit vendës “Boeing” pritet të nisin një proces treditor që do testojë sigurinë e avionëve tip “737 MAX” të prodhuar nga kompania.

    Ky model avionësh nuk lejohet të fluturojë nëpër botë që nga muaji mars i vitit të kaluar, pas dy aksidenteve fatale që do u merrnin jetën mbi 340 pasagjerëve në harkun e pak muajve.

    Të hënën, pilotët dhe ekipet testuese do të kryejnë manovra specifike, ulje-ngritje dhe kthesa më ekstreme gjatë fluturimit mbi shtetin e Uashingtonit dhe brigjet e Oqeanit Paqësor.

    Në fokus do të jetë edhe kodi i ri kompjuterik që është riprogramuar pas dyshimeve se në aksidentet e fundit ka shkaktuar bllokim të mjeteve fluturuese, duke i bërë të pakomandueshme.

    Ndryshimet shpresohet të testohen gjatë korrikut dhe gushtit nga pilotë ndërkombëtarë, por në kushtet e pandemisë është e paqartë se si mund të mbahen seanca të tilla provash.

    Në janar, kompania “Boeing” ndaloi prodhimin e avionëve të vet më të shitur, “737 MAX”, deri në pritjen e ricertifikimit prej autoriteteve pas aksidenteve me pasoja tragjike.

    Ndërkohë 400 mjete të reja të këtij modeli qëndrojnë të parkuara për shkak se nuk u janë dorëzuar apo janë anuluar nga porositësit, duke reduktuar edhe hapësirat magazinuese të kompanisë.

    Në tremujorin e parë të vitit, frika për sigurinë e avionëve por edhe pakësimi i fluturimeve prej rrezikut të koronavirusit i shkaktuan kompanisë “Boeing” rreth 5 miliardë dollarë humbje.

    Vlera e aksioneve të saj në bursa u ul shkurtimisht gati trefish nga fundviti i kaluar.

    Sipas Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, periudha e krizës pandemike ka dëmtuar çdo prodhues avionësh por veçanërisht gjigantin amerikan.

    Deri vitin e ardhshëm, trafiku ajror nëpër botë parashikohet të mbetet më shumë se 25 për qind poshtë niveleve të vitit të kaluar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!